Arben Mustafa ka lindur më 12 shkurt 1984 në Kosovë. Studimet universitare i ka përfunduar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku në vitin 2005 është diplomuar në drejtimin Banka, Financa dhe Kontabilitet. Pas përfundimit të studimeve bazë, ai ka vazhduar studimet pasuniversitare në Mbretërinë e Bashkuar, në Staffordshire University, ku në vitin 2006 ka përfunduar studimet Master në Ekonomi (MSc), ndërsa në vitin 2014 ka përfituar titullin Doktor i Shkencave në Ekonomi (PhD).
Nga shtatori i vitit 2014, Arben Mustafa është i angazhuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, ku aktualisht mban titullin Profesor i Asocuar. Në këtë institucion, ai ligjëron lëndët Mikroekonomi, Makroekonomi, Afarizëm Bankar dhe Financat e Korporatave. Titullin Profesor i Asocuar e ka fituar më 1 mars 2022, ndërsa më herët, që nga viti 2014, ka qenë i emëruar si Profesor Asistent. Arben Mustafa është poashtu i angazhuar si ligjërues në Kolegjin AAB, në nivelet bachelor dhe master, në lëndet Makroekonomia II, Trendet e Globalizimit, Integrimet Ekonomike Evropiane, sidhe Sistemet e Menaxhimit të Cilësisë.
Përveç angazhimit akademik, ai ka pasur një karrierë të gjatë dhe të rëndësishme në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Fillimisht është angazhuar si ekonomist në Departamentin për Analiza Ekonomike dhe Stabilitet Financiar (2007–2009), më pas si drejtor i këtij departamenti (2009–2016), dhe më vonë si këshilltar i lartë për Mbikëqyrje Financiare (2016–2022). Gjatë kësaj periudhe, ai ka qenë përgjegjës për hulumtime dhe analiza që kanë ndikuar drejtpërdrejt në formulimin e politikave ekonomike dhe të stabilitetit financiar në vend.
Fusha e tij e hulumtimit është kryesisht sektori bankar, konkurrenca në sistemin financiar, stabiliteti financiar dhe zhvillimet makroekonomike në vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore. Ka publikuar punime shkencore në revista të njohura ndërkombëtare si:
Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare të organizuara nga institucione si Banka Kombëtare e Austrisë, Universiteti i Oksfordit dhe të tjera. Ndër temat që ka trajtuar përfshihen konkurrenca bankare dhe ndikimi i saj në rrezikshmërinë e bankave, cilësia e portofolit të kredive, euroizimi në Kosovë, dhe remitencat në Ballkanin Perëndimor.
Përveç veprimtarisë shkencore dhe akademike, Arben Mustafa ka ndjekur një sërë trajnimesh profesionale nga institucione prestigjioze si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Evropiane, Banka e Anglisë, Banka Kombëtare e Austrisë dhe ajo e Çekisë. Këto trajnime kanë përfshirë temat si programimi dhe politikat financiare, stabiliteti makro-financiar, testimi i stresit në sistemin bankar dhe politika monetare në eurozonë.
Ai zotëron aftësi të avancuara analitike dhe kërkimore, është përdorues i avancuar i programeve si Microsoft Office dhe STATA, dhe flet rrjedhshëm anglisht dhe mirë serbokroatisht.