Dr. sc.

Kaltrina Jashanica

Prof. Ass. Dr. Kaltrina Jashanica është arkitekte dhe hulumtuese me përvojë të gjerë akademike dhe profesionale në fushën e arkitekturës dhe planifikimit urban. Ajo është e angazhuar në mësimdhënie universitare, kërkime shkencore ndërdisiplinare dhe dizajn arkitektonik, me theks të veçantë në materialitetin, formën urbane dhe ndërveprimin mes teorisë dhe praktikës në arkitekturë. Ka përfunduar doktoraturën në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit “Sapienza” në Romë në vitin 2019, me titullin Doktor i Shkencave në Arkitekturë me vlerësimin excellent cum laude. Disertacioni i saj me titull “Matter and Construction. Material reasoning of architecture” trajton rolin e materies dhe konstrukcionit si kategori themelore në përkufizimin e teorisë dhe praktikës arkitektonike dhe urbane, duke ofruar një kontribut të rëndësishëm në teorinë bashkëkohore të arkitekturës. Ajo ka ndjekur studimet master në Universitetin e Mariborit në Slloveni dhe ka përfunduar studimet themelore në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Sa i përket angazhimit akademik, që nga viti 2020 ligjëron si Profesor Asistente në Fakultetin e Arkitekturës në Kolegjin AAB në Prishtinë, në lëndët në fushën e projektimit arkitektonik, metodologjisë së hulumtimit dhe analizës hapësinore. Paralelisht, që nga viti 2023, ajo është e angazhuar si ligjëruese me kohë të pjesshme në Universitetin e New York-ut në Tiranë, ku mbulon lëndë të avancuara në planifikim urban dhe dizajn të brendshëm. Përvojat e mëparshme të saj përfshijnë edhe pozita si asistente mësimdhënieje në Universitetin e Prishtinës, bashkëpuntore lënde në Universitetin “Federico II” të Napolit dhe si asistente lënde në Universitetin “Sapienza” të Romës, duke dëshmuar një aktivitet të vazhdueshëm ndërkombëtar në fushën akademike.

Përveç angazhimeve universitare, Dr. Jashanica është themeluese e laboratorit të arkitekturës “2K20 Architecture Lab”, një platformë e krijuar në vitin 2020 në Lipjan, e cila ndërthur dizajnin arkitektonik me kërkimin shkencor dhe debatin publik mbi zhvillimet e transformueshme dhe të qëndrueshme të hapësirës. Ajo ka udhëhequr dhe kontribuar në projekte të rëndësishme urbane në Kosovë, si p.sh. Masterplani i Bllokut Muharrem Fejza, Parku Industrial Qylagë, Masterplani i Prishtinës së Re “Qendër”, dhe së fundi, projekti fitues për Parkun Qendror dhe Sheshin e Qytetit të Lipjanit në bashkëpunim me GeoMAP.

Në fushën kërkimore, Prof. Jashanica ka publikuar në revista ndërkombëtare të indeksuara dhe kapituj librash akademikë. Ndër botimet më të rëndësishme përmenden:

  • “Collision and Contiguity in the Transformation of Prishtina’s Urban Form” (Pollack Periodica, 2024–2025),
  • “Kahn’s Light: The measurable and the unmeasurable of the Bangladesh National Assembly Building” (2022),
  • “Examining the knowledge level and opinions of architecture students about artificial intelligence” (Elsevier, 2025)

Gjithashtu, ka marrë pjesë në grupe kërkimore në Itali të cilat janë botuar si kapituj librash me focus qytetin, planifikimin dhe përfaqësimin arkitektonik, si: “La città come misura”, “Roma tra il fiume, il bosco e il mare” dhe “L’ampliamento della Camera dei Deputati”.

Kontributi i saj është pasuruar edhe nga pjesëmarrja në punëtori ndërkombëtare si La città della politica (Romë, 2016) dhe Hiša 2030 (Maribor, 2014), ku ka qenë e angazhuar si mentore dhe bashkëhulumtuese në projektin mbi hapësirën e degraduar tek parlamenti italian. Ndërsa projekti i saj “Vizion për hapësirat urbane të së ardhmes përmes revitalizimit të tregjeve të hapura” është vlerësuar me çmimin e parë në Maribor (2013) dhe është prezantuar në Torino, Itali.

Prof. Jashanica vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e diskursit arkitektonik dhe urban nëpërmjet angazhimit të përhershëm akademik dhe profesional mes kërkimit teorik dhe praktikës projektuale.Ajo synon të promovojë një qasje të integruar ndaj arkitekturës bashkëkohore, që reflekton ndërgjegje kulturore, sociale dhe mjedisore.