Kushtrim Koliqi (1984) është profesor, regjisor teatri dhe filmi, producent, botues dhe aktivist për të drejtat e njeriut. Lindi në Prishtinë, ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Studioi për regji teatri në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku edhe magjistroi në të njëjtin drejtim. Studimet e doktoratës i përfundoi në Universitetin e Evropës Juglindore në Maqedoni, në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, me temën: “Dramatizimi dhe inskenimi i Kadaresë në Teatër.”
Gjatë karrierës së tij është angazhuar në produksione teatrore në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe teatro të tjera lokale e private. Disa nga shfaqjet më të arrira të tij janë: “Për kohë të vjetra” (K. Koliqi), “Hanibali i nëntokës” (H. Boytchev), “Çifti i hapur” (D. Fo), “Më afër” dhe “Mbas Zonjushës Julie” (P. Marber), “Tregtari i Venedikut” (asistent regjisor, W. Shakespeare), “Kaligula” (A. Camus), “Unë jam vetë grua” (D. Wright), “La Rrem” (A. Krasniqi), “Stiffler” (D. Basha), “Babai dhe babai” (J. Neziraj), “Kamarja e turpit” (I. Kadare, dramaturge D. Basha), etj.
Si regjisor, ai është shquar për qasje avangarde, të guximshme dhe provokative që trajton çështje me karakter politik e shoqëror, si dhe për kreativitetin e tij inovativ. Shfaqjet e tij janë vlerësuar pozitivisht nga kritika dhe janë pritur mirë nga publiku, si në Kosovë ashtu edhe ndërkombëtarisht. Për punën e tij artistike ka marrë shumë shpërblime të rëndësishme, përfshirë Çmimin Vjetor për Regjinë dhe Shfaqjen më të Mirë në Kosovë për vitin 2013.
Ka shërbyer si anëtar i Bordit të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe ka qenë Kryesues i Këshillit të Teatrit të Qytetit të Prishtinës “Dodona”. Aktualisht është anëtar i Bordit Ekzekutiv të Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës, themelues dhe drejtor i Qendrës “Barabar” në Prishtinë, si dhe drejtor artistik i Teatrit të Ri “Intent” (Kosovë dhe Angli). Po ashtu, është bashkëthemelues dhe organizator i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”.
Koliqi është angazhuar edhe si regjisor dhe producent i projekteve filmike dhe mediale, përfshirë seriale televizive, filma të shkurtër, dokumentarë dhe fushata mediatike. Disa nga projektet më të njohura janë: cikli i dokumentarëve narrativë “Njerëzit dhe kujtimet flasin”, video-ekspozitat “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, seriali televiziv “Spitaliks”, filmi artistik “Një Tregim Prishtine” dhe filmi “Hana”, ku ka qenë producent ekzekutiv.
Ai është autor dhe botues i disa librave, monografive dhe punimeve kërkimore, ndër të cilat përmenden: “Monografi – Faruk Begolli”, “Monografi – Nexhmije Pagarusha”, “Shkëlqim dhe Tmerr” (Bekim Fehmiu), “Muharrem Qena – Monografi”, dhe “Mjeshtri – Abdurrahman Shala”.
Që nga viti 2003, ai është udhëheqës i organizatës Integra, e cila fokusohet në ballafaqimin me të kaluarën, drejtësinë tranzicionale, trashëgiminë e luftës, të drejtat e njeriut, artin, kulturën dhe aktivizmin qytetar.
Ndër punimet shkencore të publikuara përfshihen: “Kadare and the Theater” (European Journal of Interdisciplinary Studies, 2018), “Dramatizimi i veprës së Kadaresë për Teatër” (Albanologji 8, Instituti Albanologjik i Kosovës), dhe “Pre-service teachers’ attitudes and the factors influencing their formation regarding inclusive education in Kosovo” (NASES Journals).
Veprimtaria e tij profesionale është e përhapur në gjithë Ballkanin dhe Evropën. Aktualisht, ai është profesor në Kolegjin AAB ku ligjëron disa lëndë të fushës së teatrit, filmit dhe komunikimit.