Ligjëruese – Kolegji AAB, Departamenti i Dizajnit dhe Modës
Teuta Osmani ka lindur më 18 maj 1979 në Podujevë, ku përfundoi edhe shkollimin fillor. Ndërsa shkollimin e mesëm e kreu në Shkollën e Mesme “28 Nëntori” në Prishtinë. Në vitin 2000 është çertifikuar në kursin e rrobaqepësisë në Organizatën Rinore IMC, Podujevë. Në vitin 2020 është çertifikuar në kursin Modulet e Prerjes dhe Qepjes: Patron & Prerje, Shtëpia e Shpresës, Prishtinë.
Pas një karriere praktike të suksesshme në industrinë e modës, në vitin 2019 diplomoi në Kolegjin AAB (https://aab-edu.net/en/) në drejtimin “Dizajn Mode”. Më tej, në vitin 2022 përfundoi studimet master në “Dizajn Grafik & Multimedia” në të njëjtin institucion, duke thelluar njohuritë dhe aftësitë e saj në fushën e dizajnit grafik dhe multimedia.
Në vitin akademik 2017/18, Teuta filloi karrierën e saj akademike si asistente në Kolegjin AAB (https://aab-edu.net/en/persons/teuta-osmani/). Që nga viti 2022, ajo është ligjëruese në Departamentin e Dizajnit dhe Modës në Kolegjin AAB (https://aab-edu.net/en/), ku ligjëron lëndët: Dizajni i tekstilit – II, teknikat e qepjes, Trikotazh, Teknikat e rrobaqepësisë, Teknologjia dhe materiali.
Përvoja e saj praktike në fushën e rrobaqepësisë, e kombinuar me njohuritë akademike, e bëjnë atë një profesioniste të kompletuar, e cila sjell një qasje të integruar midis teorisë dhe praktikës në arsimin e lartë. Ajo zotëron njohuri të avancuara në softuerët për dizajn, si dhe njohje të gjuhëve të huaja, përfshirë anglishten dhe serbishten, që e ndihmojnë në komunikimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Në vitet 2014–2015 ka qenë Anëtare e Komisionit Vlerësues për kursin e Rrobaqepësisë në Qendrën “Shtëpia e Shpresës”, Prishtinë. Vlerësimi i nxënësve të profilit të rrobaqepësisë në kuadër të programit arsimor profesional.
Teuta është përfshirë edhe në aktivitete mediatike dhe kulturore, duke dhënë intervista në programe televizive, si në emisionin “Familja Ime” në Klan Kosova, ku ka folur për rrugëtimin e saj profesional dhe sfidat në fushën e modës dhe dizajnit. Linku i intervistës është: https://youtu.be/Wqofcu9tO0Y?si=GX7DhC7Q6Dv1VZla.
Ajo është e angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në promovimin e artit dhe kulturës së modës në Kosovë, duke dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e arsimit të lartë në fushën e dizajnit. Si autore e koleksioneve të veshjeve, deri më sot ka realizuar gjashtë koleksione të veçanta.
Teuta është e martuar, ka dy fëmijë dhe jeton në Prishtinë.