Venera Kabashi- Llunji u lind më 12 dhjetor 1968 në Prishtinë.
Ka mbaruar Fakultetin Filologjik, Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Angleze, ndërsa studimet e magjistraturës në Universitetin e Kalgarit në Kanada.
Ka përfunduar specializimin për Metodat Bashkëkohore të Mësimdhënies në Bournemouth, Angli, një specializim tjetër në Programin Zhvillimor për Udhëheqje të Lartë dhe Shkollën për Integrime Evropiane në Prishtinë.
Studimet e doktoratës së parë i ka përfunduar në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit Europian të Tiranës, Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike, me temë: “Nacionalizmi si ideologji në programet e partive politike shqiptare në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj” dhe mori gradën shkencore: Doktor i Filozofisë në lëminë: Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike.
Studimet e dyta doktorale i ka përfunduar në Universitetin e Europës Juglindore (SEEU) në Maqedoni, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Kulturës dhe Komunikimit me temë: “Aspekti morfologjik, sintaksor dhe semantik i mbiemrave: Krahasim i përkthimit nga gjuha angleze në gjuhën shqipe” duke e marrë gradën e dytë shkencore: Doktor i Shkencave filologjike në lëminë e Gjuhës dhe Letërsisë angleze.
Ka përvojë pune nga viti 1991 si ligjëruese në Universitetin e Prishtinës dhe në Kolegjin AAB që nga themelimi i tij.
Në vitet 2002-2005 ishte këshilltare politike e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa në prill të vitit 2008 u emërua këshilltare politike e ministrit të Punëve të Jashtme.
Venera Llunji ishte anëtare e Asociacionit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Frankfurt /Gjermani, Dega në Prishtinë, gjatë viteve 1992-1999; anëtare e grupit punues pranë OSBE-së në procesin e monitorimit të projekteve për zhvillimin e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës dhe në projektet për implementimin e standardeve për Kosovën sipas Rezolutës 1244; anëtare e grupit punues në projektin për reformë të kapaciteteve në administratë publike në vendet e Evropës Jug-lindore; pjesëmarrëse në grupin koordinues të UNIFEM-it në Planin e veprimit për barazi gjinore në Kosovë. Ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare dhe kombëtare.
Ka përkthyer tre libra nga fusha e politikës : “Meritojmë Mëvetësi”, “Republika e Kosovës” dhe “ Helmimi- gjenocid modern”.
Në vitin 2005 është shpallur Qytetare Nderi e qytetit Kalgari në Kanada.
Nga viti 2014-2018 ishte dekane e Fakultetit te Gjuhëve të Huaja, Departamenti i Gjuhës Angleze në kolegjin AAB. Tani është Pro-rektore për marrëdhënie ndërkombëtare dhe bashkëpunim në Kolegjin AAB.
Jeton në Prishtinë. Është e martuar dhe ka dy fëmijë.