Vlora Sopi lindi më 11 tetor 1979 në Prishtinë, Kosovë. Ajo ka përvojë të gjatë në fushën e infermierisë, me karrierë të zhvilluar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku ushtron detyrën e Kryeinfermierës në Klinikën e Pediatrisë dhe është anëtare e Këshillit Drejtues pranë Odës së Infermierëve dhe Profesionistëve të Tjerë Shëndetësor.
Karriera e saj në QKUK ka nisur më 1999, kur u punësua si infermiere në Repartin e Pranimit të Klinikës së Pediatrisë, pozitë të cilën e mbajti deri në vitin 2011. Gjatë kësaj periudhe, ka qenë e angazhuar në pranimin dhe përgatitjen e pacientëve për vizita mjekësore, monitorimin e gjendjes së tyre dhe menaxhimin e termineve.
Që nga muaji maj në vitin 2011 ka ushtruar pozitën e Kryeinfermierës së Repartit të Endokrinologjisë Pediatrike. Në këtë repart ka udhëhequr për më shumë se nëntë vite menaxhimin e stafit infermieror dhe furnizimin e repartit me material shpenzues dhe medikamente mjekësore. Po ashtu, është përfshirë në menaxhimin e fëmijëve me diabet në Republikën e Kosovës dhe ka dhënë kontribut në edukimin e fëmijëve dhe familjeve për menaxhimin e sëmundjes.
Aktualisht, Vlora Sopi ushtron detyrën e Kryeinfermierës në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Në këtë pozicion, ajo koordinon punën e infermierëve, ndan detyrat sipas nevojave të kujdesit ndaj pacientëve dhe siguron përmbushjen e standardeve të shërbimit infermieror. Ajo gjithashtu përgatit programe trajnuese për avancimin e stafit dhe bashkëpunon me ekipe të tjera klinike për përmirësimin e cilësisë së shërbimit në kuadër të Klinikës Pediatrike.
Paralelisht është edhe pjesë e Odës së Infermierëve dhe Profesionistëve të Tjerë Shëndetësor ku mban pozitën e Anëtares së Këshillit Drejtues që nga viti 2023. Në këtë pozitë kontribuon në hartimin dhe mbikëqyrjen e politikave profesionale, ka rol në vendimmarrje, përfaqësimin e infermierëve brenda dhe jashtë vendit, promovimin e zhvillimit profesional të infermierëve dhe po ashtu ndihmon në promovimin e etikës në punë.
Për sa i përket arsimit, Vlora Sopi ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Prishtinë. Këtë të fundit e përfundoi në vitin 1998 në Shkollën e Mesme të Mjekësisë ‘Dr. Ali Sokoli’. Arsimimin e vazhdoi në Kolegjin AAB në Prishtinë ku kreu Bachelor në Kujdesin dhe Mirëqenien e Fëmijëve (2010–2013). Po ashtu, studimeve të larta i shtoi edhe një Bachelor në Infermieri (2016–2019), dhe më pas Master në Menaxhimin e Sektorit të Shëndetësisë (2016–2018).
Përfshirja e saj akademike rezultoi me angazhimin e saj në Kolegjin AAB, ku në vitin 2019 filloi karrierën e saj si Asistente e lëndës ‘Bazat e Infermierisë’. Po ashtu, në të njëjtin kolegj u angazhua edhe si ligjëruese në Programin e Infermierisë në të cilin vazhdon edhe sot të kontribuojë. Puna e saj me studentët ka rezultuar gjithmonë me vlerësim maksimal nga ana e studentëve për përfshirje inovative, praktike dhe aktive të tyre në Shkencat Mjekësore, Drejtimi Infermieri.
Zhvillimin akademik e vazhdoi duke marrë pjesë në mënyrë të vazhdueshme dhe aktive në konferenca e kongrese të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka marrë pjesë në disa trajnime profesionale dhe është pajisur me çertifikata nga institucione si Ministria e Shëndetësisë, Shoqata e Onkologëve të Kosovës, Qendra e Telemjekësisë dhe Fondi Global kundër Tuberkulozit.
Vlen të ceket pjesëmarrja në “Kongresin Kombëtar i Mamive 2025” në Tiranë, Shqipëri. Po ashtu, Kongresi Ndërkombëtar nga organizata jo-qeveritare ‘Trajnime të Vazhdueshme Shëndetësore’.
Si ligjëruese aktive ka marrë pjesë në kuadër të ligjëratave ‘Edukimi i Vazhdueshëm Profesional’ i akredituar nga Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) me temën: “Determinantet e Kënaqësisë me Punë të Infermierëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës” në vitin 2023. Po në të njëjtin program ka prezantuar temën “Ketoacidoza Diabetike Juvenile – Studim Rasti” në vitin 2025.
Tek “Kongresi i II-të Ndërkombëtar i OIK-ut” ka prezantuar hulumtimin shkencor me temën “Analiza e Ndikimit të Faktorëve të Motivacionit në Kënaqësi me Punë të Infermierëve në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës” në vitin 2024.
Sa i përket publikimeve, Vlora Sopi ka publikuar hulumtimin e saj shkencor me temën “Determinants of Job Satisfaction Among the Nurses of the University Clinical Center of Kosovo” në revistën ‘Thesis’ dhe është cituar nga autorë të tjerë.
https://thesis-journal.net/2019-vol-8-no-1/
Ky punim u publikua edhe në revistën ‘Shëndeti dhe Kujdesi Infermieror’, numri i tretë i kësaj reviste.
Link
Po ashtu, ishte bashkëpunëtore në hulumtimin shkencor nga Prof. Dr. Bashkim Gllareva me titullin: “A National Cross-Sectional Study from the Republic of Kosovo on Lot Quality Assurance Sampling (LQAS) to Evaluate the Vaccination Status of Children Between 12 and 24 Months of Age During 2018 to 2020”. PMC8719424
Aktiviteti profesional dhe akademik i Vlora Sopit nuk ndërprehet këtu. Ajo vazhdon të ngrejë zërin e infermierëve edhe në media. Në një intervistë në Kanalin Televiziv të Kosovës (KTV) për nder të Ditës së Infermierisë, Vlora potencon problematikat, sfidat dhe përgjegjësitë në botën e infermierisë.
https://www.youtube.com/eatch?v=-ug738jeRq4
Së fundmi, Vlora Sopi ishte në vizitë studimore në Kroaci së bashku me Këshillin Drejtues të OIK, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe praktikave profesionale me Odën Kroate të Infermierëve.
Njohuritë bazike të avancuara në teknologji dhe një nivel i mirë i gjuhës angleze nuk i mungojnë Vlorës Sopit.
Përveç anës profesionale, akademike dhe shkencore, Vlora Sopi është nënë e dy fëmijëve.