Revista shkencore Comunicazioni sociali e Universitetit Cattolica në Milano, në numrin e saj special kushtuar festivaleve kulturore në botë, ka botuar një artikull shkencor në të cilin konstatohet se Festivali Ndërkombëtar i Teatrit, Prishtina International Theatre Festival (PITF) i organizuar nga Kolegji AAB, luan një rol të rëndësishëm për imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
Në artikullin e titulluar “Festivalet e teatrit si instrumente të diplomacisë kulturore dhe komunikimit ndërkulturor”, vlerësohet se PITF shërben si kontributdhënës i jashtëzakonshëm për lidhjen kulturore të Kosovës me botën. “PITF jo vetëm demokratizon qasjen dhe perceptimet e teatrit në Kosovë, por gjithashtu frymëzon artistë të huaj të cilët, pas kthimit në vendin e tyre, shpesh shërbejnë si ambasadorë kulturorë të Kosovës në botë”, theksohet në artikull.
Krahas festivalit të AAB-së, në këtë numër special revista ka përfshirë disa festivale të famshme në botë, si: Sanremo Festival, Locarno Film Festival, San Sebastián Film Festival, Sitges Festival Internacional de Cinema Fantàstic de Catalunya etj.
PITF – i vetmi festival teatrosh në Ballkan dhe besnik ndaj motos së presidentit Kennedy
Në këtë numër special të titulluar “Festivalet kulturore si mjete të inovacionit të qëndrueshëm dhe ndryshimit shoqëror”, revista vlerëson se festivalet e teatrit shërbejnë për funksione të shumëfishta dhe u mundësojnë vendeve të komunikojnë vlerat e tyre, të ndërtojnë një imazh pozitiv ndërkombëtar dhe të nxisin dialogun ndërkulturor përmes shprehjes artistike dhe përvojave të përbashkëta.
Duke numëruar edhe festivale të tjera që organizohen në Kosovë, si ai i Dua Lipës etj., në revistë është analizuar vetëm festivali tradicional i teatrit Pristina International Theatre Festival (PITF). Në revistë theksohet se ky festival organizohet që tetë vjet radhazi dhe paraqet të vetmin festival tradicional të këtij lloji në Ballkan. Organizatorët e këtij festivali, thuhet më tej në artikullin e publikuar në këtë revistë, ndjekin moton e presidentit Kennedy: “Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi yt për ty – pyet çfarë mund të bësh ti për vendin tënd”. Në këtë kuptim ka nisur edhe festivali, si një mjet kulturor për promovimin ndërkombëtar të Kosovës, e përballur me vështirësi në vizibilitetin ndërkombëtar si një shtet i ri.
PITF kontribuon në imazhin ndërkombëtar të Kosovës
Duke analizuar qëndrimet e artistëve të huaj dhe publikut vendës, identifikohet ndikimi i dyanshëm që ka pasur ky festival. Përvoja e PITF – vlerësohet në revistë – i ndihmoi pjesëmarrësit të zhvillojnë ndjeshmëri të reja kulturore dhe të sfidojnë stereotipet para-ekzistuese, duke përforcuar nocionin e teatrit si një formë e diplomacisë kulturore.
Revista konkludon se festivalet – konkretisht PITF – funksionon jo thjesht si tubim artistik, por si instrument strategjik i diplomacisë kulturore dhe dukshmërisë ndërkombëtare për Kosovën. Duke lehtësuar angazhimin e drejtpërdrejtë midis audiencës lokale dhe interpretuesve ndërkombëtarë, festivali inkurajon hapjen kulturore, empatinë dhe kontribuon në riformësimin e imazhit të Kosovës si një komb modern dhe tolerant i integruar në rrjedhat kulturore globale.
Revista Comunicazioni Sociali e themeluar në vitin 1966, publikohet nga Universiteti Cattollica e Milanos, i cili njëherësh konsiderohet universiteti më i madh privat në Europë me rreth 41 mijë studentë.
Artikulli i plotë mund të lexohet duke klikuar këtu.