Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit, Kolegji AAB, respektivisht Fakultetiti i Infermierisë, Stomatologjisë, Radiologjisë dhe ai i Psikologjisë, në bashkëpunim me Institutin AAB dhe Odën e Infermierëve të Kosovës, kanë organizuar Simpoziumin e II të titulluar “Qasja e integruar ndaj shëndetit dhe edukimi shëndetësor”.
Hapjen e Simpoziuimit e bëri zv.rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, i cili tha se shëndeti dhe mirëqenia janë problematika shumë dimensionale të cilat për t’ u trajtuar si duhet kërkojnë qasje ndërdisiplinare që Kolegji AAB gjithmonë i praktikon, dhe si dëshmi është pikërisht ky Simpozium që ka mbledhur një numër kaq të madh të pjesëmarrësve.
Punimet e Simpoziumit i përshëndeti edhe prof.dr. Luan Jaha, këshilltar i Kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili theksoi se Qeveria e Kosovës do të angazhohet për përmirësimin e gjendjes në sektorin e shëndetësisë, si mbështetje institucionale direkt për punëtorët shëndetësorë.
Në emër të Ministrit të Shëndetësisë, fjalë rasti mbajti edhe znj, Fetije Huruglica, e cila tha se profesionistët shëndetësorë janë hallka kryesore e sistemit shëndetësor, prandaj, Ministria e Shëndetësisë bazuar në reformat e ligjislacionit të shëndetësisë është duke punuar edhe në fuqizimin e rolit të Infermierëve.
Dekani i Fakultetit të Infermierisë në Kolegjin AAB, prof. Idriz Sopjani, në hapje të Simpoziumit nënvizoi edhe sukseset e Fakultetit të Infermierisë brenda një periudhe të shkurtër në Kolegjin AAB, duke shtuar se si fakultet janë gjatë gjithë kohës në këshillim e bashkëbisedim me ekspertë të ndryshëm të Infermierisë, se si duhet të veprohet që Infermierët e ardhshëm të jenë sa më të përgatitur.
Në Simpoziumin e II-të mjekësor, krahas numrit të madh të studentëve e stafit akademik, po marrin pjesë edhe qindra punëtorë shëndetësor, ndërsa punimet e Simpoziumit do të zhvillohen gjatë tërë ditës në sesione të ndara.