Për herë të parë në Kosovë po qëndron presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović, i cili sot u nderua me Çmimin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut nga Kolegji AAB, për pritjen dhe akomodimin e refugjatëve nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999 si dhe kontributin në përmirësimin e të drejtave civile në Mal të Zi.
Me këtë rast, në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, presidenti malazez mbajti edhe një ligjëratë për studentët dhe të pranishmit e tjerë me temën “Mali i Zi si faktor stabiliteti në rajon”. Pas pranimit të çmimit nga rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha, presidenti malazez u shpreh mirënjohës këtë vizitë.
“Kam kënaqësinë e veçantë dhe privilegjin që gjatë vizitës time dy ditore në Kosovë, të takohem edhe me ju dhe të vizitoj këtë kolegj kaq prestigjioz, i cili në fushën e arsimit ju ka ndihmuar shumë gjeneratave të reja, jo vetëm në Kosovë por në gjithë Ballkanin Perëndimor. Dua të ju uroj për suksesin në këtë mision edhe në të ardhmen. Ndërsa sa i përket çmimit që ma dorëzuat, këto çmime i kam parë gjithmonë si inkurajim të mëtejshëm, faleminderit për të gjitha fjalët e mira edhe për Malin e Zi”, tha Sh.T. Milo Đukanović.
Në AAB gjithmonë kanë ardhur personalitete të shquara të jetës publike, presidentë, kongresmenë, ambasadorë, etj., dhe studentët tanë kanë pasur rast të dëgjojnë ligjërata nga figura nga më të njohurat evropiane dhe botërore, por ardhja e presidentit Đukanović për herë të parë në Kosovë dhe në Kolegjin AAB u konsiderua historike.
Ligjërata e sotme e presidentit malazez Milo Đukanović, u pasua edhe me një seancë pyetje përgjigje, ku z. Đukanović u përgjigj në pyetjet e studentëve, ndërsa ceremoninë e ndarjes së këtij çmimi mund ta ndiqni sonte nga ora 19:30 në ATV.