Më 3 qershor 2025, profesori i Kolegjit AAB Xhavit Rexhaj mori pjesë me një “testimonal” në sesionin informativ të organizuar në bashkëpunim mes Institutit Francez në Prishtinë, Zyrës së NIPAK-ZKM, Ministrisë së Kulturës dhe MASHTI-t.
Ngjarja kishte për qëllim të krijonte sinergji ndërmjet programeve të Bashkimit Evropian që mbështesin kulturën dhe transformimet sociale, si Creative Europe dhe Horizon Europe Cluster 2 – Culture, Creativity and Inclusive Society.
Gjatë fjalës së tij, profesor Rexhaj prezantoi projektin EDU-LAB, në të cilin Kolegji AAB është partner. Ai ndau përvojën e tij rreth mënyrës së qasjes në program, ndërtimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe përfitimeve të pjesëmarrjes në një projekt të tillë si për organizatën përfaqësuese, ashtu edhe për individët e përfshirë. Prezantimi i tij shërbeu si shembull i mirë praktik për institucione të tjera që synojnë të përfshihen në projektet transformuese të financuara nga Bashkimi Evropian.
Projekti është i financuar nga programi Horizon Europe, konkretisht në kuadër të Cluster II – Culture, Creativity and Inclusive Society, në temën HORIZON-CL2-2024-TRANSFORMATIONS-01-10: Effective education and labor market transitions of young people.