Studentët Eriona Bytyqi, Arjan Krasniqi, Fatlind Zogaj dhe Kaltrina Delija, kanë prezantuar sot projektin studentor, me mentor profesorin Engin Melekoglu.
Projekti “Sistemi i kontrollimit të hyrjeve – daljeve përmes QR code”, u financua nga Kolegji AAB në kuadër të thirrjes së hapur për grante të projekteve studentore, i menaxhuar nga Zyra e Projekteve. Ky projekt përbëhet nga tri faza, ku në fazën e parë realizohet monitorimi i hyrjeve dhe daljeve të personelit përmes QR code. Pas kësaj, në fazën e dytë përfshihet ndarja e punës nga menaxhmenti përmes sistemit. Si fazë përfundimtare radhitet performanca e personelit e cila do vlerësohet në baza mujore dhe vjetore.
Ky projekt do zhvillohet në 5 biznese të ndryshme në Kosovë, andaj për këtë arritje të studentëve profesori Engin Melekoglu shprehu mirënjohjet e tij, duke vlerësuar punën, vullnetin dhe rezultatet që kanë arritur.
Udhëheqësja e këtij projekti, studentja Eriona Bytyqi, shtoi se ky projekt përveç që ka ndihmuar ata të shprehin dhe zhvillojnë aftësitë e tyre në këtë fushë, shërben edhe si udhëzues dhe motiv për studentët e tjerë që të vënë në pah interesimin dhe angazhimin gjatë studimeve në pjesën praktike. Zyrtarja nga Zyra e Projekteve Erëza Mehmeti, inkurajoi studentët që të bëhen pjesë e thirrjeve për projekte studentore në të ardhmen, pasi ato luajnë rol kyç në hapat e parë për ndërtimin e karrierës në profesionin e tyre që do zgjedhin.