Profesorët Donatas Dervinis, Saulius Niauronis dhe Marius Kernagis, nga Universiteti i Lituanisë kanë kaluar një javë të tërë në Kolegjin AAB, si pjesë e programit “Erasmus+ Staff Mobility for Teaching and Training”. Ata u takuan me udhëheqësen e Zyrës për Projekte të Kolegjit AAB, Ilirjana Geci dhe zyrtaren e kësaj zyre, Qëndresa Kukaj, për të analizuar mundësitë për zhvillim të projekteve përmes programit Erasmus+, por edhe hapësira për përfshirjen e stafit dhe studentëve të dy institucioneve në projekte të reja.
Tutje u zhvillua edhe një takim me stafin e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, ku përmes disa prezantimeve dy palët ofruan detaje rreth programeve të studimeve për të pranishmit.
Përveç kësaj, profesorët nga Lituania të shoqëruar nga prorektorja e Kolegjit AAB, Venera Llunji, Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Jusuf Qarkaxhija dhe profesori Samir Jakupi, bashkëbiseduan me studentët nga ky fakultet, të cilët parashtruan pyetje lidhur me punën, aktivitetet dhe jetën e studentëve në Lituani.
Bashkëpunimi disavjeçar mes Kolegjit AAB dhe “Šiauliai State University of Applied Sciences”, pritet të fuqizohet më tej duke u ngritur në nivel të aplikimeve në projekte të përbashkëta, ku dy palët do jenë përfitues.