Projekti shkencor i AAB-së u prezantua në Universitetin Complutense të Madridit

26 Korrik 2019

Projekti kërkimor-shkencor i Kolegjit AAB “Fëmijët online në Kosovë, përdorimi i internetit dhe eksperiencat”, u prezantua në Universitetin Complutense të Madridit, në konferencën më të madhe në botë për komunikimet, IAMCR2019. Ky projekt i mbështetur edhe nga MAShT dhe që realizohet nga disa profesorë të AAB-së në bashkëpunim me Universitetin e Peruxhas, ka për qëllim që me matje empirike të dëshmojë për kohën që kalojnë fëmijët kosovarë në internet, përvojat e tyre dhe çfarë konsumojnë këta fëmijë gjatë përdorimit të internetit.

Gjetjet preliminare nga ky studim që zhvillohet për herë të parë në Kosovë, i prezantoi në konferencën në Madrid, prorektori për kërkim shkencor i Kolegjit AAB, Hasan Saliu. Për të realizuar këtë projekt kërkimor, përveç z. Saliu, janë angazhuar edhe profesorët nga AAB-ja: Saranda Shatri, Zija Rexhepi, Mimoza Kamberi si dhe prof. Rolando Marini nga Universiteti italian i Peruxhas. Studimi ka përfshirë disa shkolla fillore dhe të mesme në Kosovë, ku janë angazhuar edhe dhjetëra studentë nga Kolegji AAB për të anketuar nxënësit.

Në konferencën e IAMCR-së (International Association for Media and Communication Research) morën pjesë 1700 studiues të komunikimeve nga e gjithë bota, ndërsa pjesëmarrës ishin edhe emrat e mirënjohur të kësaj fushe, si Sonia Livingstone, Katharine Sarikakis, Javier Gomma, etj.. IAMCR është organizata që grumbullon numrin më të madh të studiuesve në nivel global në konferencat shkencore që organizohen një herë në vit. Vitet e kaluara konferencat e IAMCR-së janë mbajtur në Oregon të SHBA-ve, Kartagjenë të Kolumbisë, Leicester të Britanisë, Montreal të Kanadasë, etj..

Share: