Zyra e Projekteve në Kolegjin AAB organizon punëtorinë për zhvillimin e projekteve

24 Dhjetor 2025

Është mbajtur punëtoria për zhvillimin e projekteve, e organizuar nga Zyra për Projekte dhe udhëhequr nga Ilirjana Geci, me fokus në punën konkrete mbi pjesë kyçe të aplikimeve për projekte në kuadër të programeve Erasmus+ CBHE dhe Jean Monnet.

Në këtë punëtori morën pjesë 19 pjesëmarrës, kryesisht profesorë dhe anëtarë të stafit akademik, të cilët u angazhuan drejtpërdrejt në sesione pune të strukturuara dhe të orientuara drejt hartimit praktik të elementeve të aplikimit, duke përfshirë ndërtimin e arsyetimit të projektit në përputhje me prioritetet e thirrjeve Erasmus+, formulimin e qëllimit të përgjithshëm dhe objektivave specifike, zhvillimin e paketave të punës dhe aktiviteteve, si dhe përzgjedhjen e partnerëve dhe ndarjen e përgjegjësive.

Një element qendror i punëtorisë ishte puna intensive në grupe, ku pjesëmarrësit u organizuan në tre grupe pune dhe punuan në mënyrë të strukturuar në zhvillimin e tre aplikimeve konkrete për projekte. Secili grup kontribuoi në hartimin e pjesëve përkatëse të aplikimit, duke përcaktuar objektivat, strukturën e paketave të punës, aktivitetet kryesore dhe ndarjen e roleve ndërmjet partnerëve potencialë, në përputhje me kriteret e vlerësimit dhe pritshmëritë e programeve evropiane.

Punëtoria u karakterizua nga një qasje bashkëpunuese dhe e orientuar drejt rezultateve, ku pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja dhe ide konkrete, duke e trajtuar procesin e aplikimit si një proces praktik pune dhe jo si një ushtrim teorik.

Aktivitete të tilla kontribuojnë drejtpërdrejt në prodhimin e aplikimeve cilësore për projekte, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet stafit akademik dhe rritjen e përfshirjes së institucionit në programet evropiane të arsimit dhe kërkimit shkencor.

Share: