Në Kolegjin AAB është mbajtur trajnimi që përgatit profesorët në lidhje me administrimin e testimit online, si metoda më e re dhe efikase krahas zhvillimeve teknologjike dhe përshtatjes së nevojave të studentëve dhe stafit, i organizuar nga Qendra për Aftësim Profesional dhe Inovacion.
Prorektori për Planifikim dhe Zhvillim Petrit Bushi, për stafin akademik ndau detaje se si do funksionoj kjo metodë, cilat janë anët pozitive të saj, duke lënë hapësirë edhe për komente shtesë nga të pranishmit.
Ai ndër të tjera veçoi zhvillimin e përvitshëm që Kolegji AAB shënon në aspektin e testimeve, ndërsa tenton të sjellë metodat më bashkëkohore dhe efektive për palët e përfshira.
Kurse prezantimin e manual’it për gjenerimin e provimeve përmes platformës “e-Testim” në këtë trajnim e ofruan profesorët Arbresha Aliçkaj dhe Leron Berisha.
Ata demonstruan për profesorët insertimin e pyetjeve në platformën e-Testim dhe demonstrimin e gjenerimit të provimit në praktikë.
Poashtu stafi akademik ndau përvojat e tyre duke aplikuar rastet praktike gjatë kohës së trajnimit.
Ky trajnim shërben si përgatitje për stafin në mënyrë që gjatë afatit të provimeve të jenë në përputhje me anën teknike dhe administruese për studentët.