Qendra e Ekselencës Jean Monnet “KO-in-EU” – Një Hap Strategjik në Rrugëtimin Evropian të Kosovës

3 Mars 2026

Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Stafit në Kolegjin AAB, patëm nderin të organizojmë lansimin zyrtar të Qendrës së Ekselencës Jean Monnet “Formësimi i së Ardhmes Evropiane të Kosovës: KO-in-EU”, e para dhe e vetmja e këtij lloji në Kosovë.

Qendra e Ekselencës është një projekt i mbështetur nga Programi Erasmus+ në kuadër të veprimeve Jean Monnet dhe i financuar nga Bashkimi Evropian, me synimin që të shndërrohet në një pikë referimi akademike për çështjet e Bashkimit Evropian, duke u shtrirë edhe në nivele të tjera të arsimit si dhe tek publiku i gjerë.

Gjatë ngjarjes lansuese, Rektori i Kolegjit AAB, Dr. Sc. Blerim Olluri, theksoi rëndësinë strategjike të Qendrës së Ekselencës për forcimin e cilësisë akademike dhe avancimin e rrugëtimit evropian të Kosovës.

Z. Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për arsimin e lartë përmes Erasmus+ dhe rëndësinë e promovimit të vlerave evropiane dhe dialogut të informuar.

Znj. Mimika Dobroshi, Koordinatore e Zyrës Erasmus+ në Kosovë, theksoi ndikimin dhe suksesin e Programit Erasmus+ në forcimin e arsimit të lartë në Kosovë.

Z. Vrullim Buja, Dekan i Fakultetit të Administratës Publike, theksoi relevancën e Qendrës në mbështetjen e reformave të qeverisjes dhe administratës publike në përputhje me standardet e BE-së.

Znj. Ilirjana Geci, Drejtore e Zyrës për Zhvillim të Projekteve, prezantoi vizionin dhe aktivitetet kryesore të Qendrës KO-in-EU, duke shpjeguar rolin e saj si një platformë ombrellë për gjashtë Module Jean Monnet dhe kontributin e saj në mësimdhënie, hulumtim dhe angazhim publik për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Me rëndësi të veçantë, kjo Qendër e Ekselencës Jean Monnet shërben si një strukturë ombrellë që konsolidon angazhimin e fuqishëm të Kolegjit AAB në studimet evropiane, duke pasur parasysh se institucioni ynë aktualisht po zbaton gjashtë Module Jean Monnet, duke forcuar më tej lidershipin e tij në këtë fushë.

Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për të gjithë folësit, partnerët dhe pjesëmarrësit që e bënë këtë ditë një hap të rëndësishëm përpara në formësimin e së ardhmes evropiane të Kosovës.

#EuinKosovo

Share: