Rektori i Kolegjit AAB zhvillon takim me Drejtorin Ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë për bashkëpunim në fushën e forenzikës

27 Shkurt 2026

Rektori i Kolegjit AAB, Prof. Blerim Olluri, realizoi një takim në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë (AKF) me Drejtorin Ekzekutiv, Z. Shemsi Duriqi.

Takimi u zhvillua në një frymë bashkëpunimi dhe vlerësimi të ndërsjellë, duke pasur parasysh faktin se Prof. Olluri nga viti 2003 deri në vitin 2024 ka ushtruar detyrën e Kryeshefit Ekzekutiv të AKF-së. Kjo vizitë për të kishte një domethënie të veçantë, pasi rikthehej në institucionin të cilin e ka udhëhequr për më shumë se dy dekada.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në AKF dhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në programin e ri në fushën e forenzikës që pritet të hapet në Kolegjin AAB.

Rektori Olluri theksoi rëndësinë e përfshirjes së AKF-së në zhvillimin dhe avancimin e këtij programi, me synim ngritjen e cilësisë akademike dhe forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit të lartë dhe praktikës profesionale.

Takimi konfirmoi gatishmërinë e të dyja institucioneve për të thelluar bashkëpunimin në funksion të zhvillimit profesional dhe akademik në fushën e forenzikës në Kosovë.

Share: