Shënohet Dita Botërore e Radiologjisë – Nis punimet Konferenca Ndërkombëtare e Radiologjisë

8 Nëntor 2024

Me moton “Radiologët dhe Radiografi në mbështetje për pacientët” ka filluar punimet Konferenca Ndërkombëtare e Radiologjisë, organizuar nga Fakulteti i Shkencave Shëndetësore në Kolegjin AAB me rastin e Ditës Botërore të Radiologjisë.

Konferenca e cila mëton mësimin e sfidave në kujdesin shëndetësor dhe rëndësinë e radiologëve e teknikëve të radiologjisë në diagnostikimin dhe trajtimin mjekësor, u hap nga dekani i Fakultetit të Shkencave Shëndetësore Idriz Sopjani, i cili theksoi rëndësinë e profesionit të teknikut të radiologjisë në përmirësimin e cilësisë së shëndetit të pacientëve.

Sopjani shtoi se Kolegji AAB përgatit kuadro të teknikëve të radiologjisë, duke ndihmuar sistemin shëndetësor me profesionistë të kësaj fushe.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës Izet Sadiku, ndërsa përgëzoi AAB’në për kontributin e dhënë në Kosovë për të ofruar teknikë të radiologjisë të përgatitur profesionalisht, tha se radiologjia ka rol të pazëvendësueshëm në diagnostifikimin e sëmundjeve dhe në këtë sferë nevojitet aftësimi i gjeneratave të reja.

Në fjalën e saj të rastit, kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës Nexhmije Gori, përmendi ndërlidhjen që kanë infermierët dhe teknikët e radiologjisë në punën me pacientë dhe kujdesin ndaj shëndetit.

Edhe kryetari i Shoqatës së Teknikëve të Radiologjisë së Kosovës Mustafë Buzoku, shprehu kënaqësinë dhe mirënjohjen për organizimin e konferencës, duke thënë se teknologjia dhe praktika në fushën e radiologjisë po ndryshon me ritme të shpejta andaj duhet qëndruar në përputhje me këto ndryshime.

Në ditën e parë të konferencës u realizuan disa prezantime dhe komentime nga profesorët e kësaj fushe si: Sehad Kadiri, Luan Kola, Mustafë Buzoku, Lorik Rrustemaj, Vloriana Shala dhe Shkëndije Nuza.

Konferenca do vazhdoj për ditën e dytë me radhë në datën 9 nëntor 2024.

Share: