Në kuadër të realizimit të planit mësimor nga lënda e Drejta Kushtetuese, studentët e vitit të dytë të Fakultetit Juridik dhe të Administratës Publike, kanë zhvilluar një vizitë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, së bashku me mësimdhënësen Arta Rama, ish Kryetare dhe gjyqtare në këtë institucion.
Studentët u pritën në gjykatoren e këtij institucioni nga z. Nexhmi Rexhepi, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i cili pasi bëri një hyrje lidhur me funksionimin, rolin dhe kompetencat e këtij institucioni të rëndësishëm shtetëror, foli më shumë për jurisprudencën e deritanishme, natyrën e kërkesave dhe rëndësinë e besimit të qytetarëve në drejtësinë kushtetuese.
Gjithashtu, kryetari foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit të Gjykatës Kushtetuese me gjykatat tjera, sidomos me Gjykatën Supreme, si rrugë e nevojshme për të forcuar shtetin e së drejtës dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Gjatë bashkëbisedimit, studentët u interesuan për qasjen e kësaj Gjykate në shqyrtimin e kërkesave individuale në raport me të drejtat dhe liritë që dalin nga Kapitulli III dhe Kapitulli II i Kushtetutës, cila ka qenë praktika e deritanishme dhe sa ka ndikuar në përmirësimin e pozitës së komuniteteve në vendin tonë.