Studentet e vitit të tretë të Fakultetit Ekonomik të Kolegjit AAB dega në Gjakovë, të shoqëruar nga drejtori i kësaj dege Rifat Haxhija dhe prof. Shqiponja Nallbani, zhvilluan vizitë në kompaninë e prodhimit të gypave “INOVA PIPES”.
Në këtë vizitë, studentët u pritën nga drejtori i kompanisë Butrint Batalli, i cili edhe u mbajti një ligjëratë informuese lidhur me mënyrat dhe mundësitë e të bërit biznes në Kosovë, duke iu ofruar njohuri relevante nga përvoja e tij disavjeçare në sektorin e prodhimit dhe konsulencës për bizneset e tjera.
Përveç njohjes së procesit të prodhimit dhe produkteve të kësaj kompanie, studentët patën mundësinë që të njoftohen më për së afërmi edhe me mënyrën e menaxhimit të një kompanie, me sfidat dhe përparësitë në hapjen e një biznesi, si dhe me procesin dhe vështirësitë e lansimit të produkteve të reja në treg.
Njohuria praktike e marrë nga kjo vizitë, studentëve do t’u shërbejë edhe si kompletim i anës teorike të marrë nga lënda e “Ndërrmarësisë dhe NVM-të” dhe “ Menaxhimi i projekteve” dhe si një manual në hartimin e planit të biznesit si një përvojë për të ardhmen e tyre profesionale.