Dy studentet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Kolegjin AAB, Elona Krasniqi dhe Pranvera Berbati, kanë përfunduar me sukses një semestër studimesh në NLA University College në Norvegji, përmes programit ndërkombëtar Erasmus+.
Gjatë qëndrimit të tyre, ato u përfshinë në një mjedis akademik bashkëkohor që nxit mendimin kritik, punën e pavarur dhe bashkëpunimin ndërkulturor. Studentet vlerësuan përvojën si të vlefshme, duke theksuar se ajo u ka ndihmuar të zhvillojnë aftësi akademike dhe personale.
“Të studiosh në Norvegji ishte një përvojë që më pasuroi ne shumë aspekte si profesionale ashtu dhe sociale”, u shpreh Elona Krasniqi.
Ndërsa Pranvera Berbati shtoi se përmes këtij programi “mësuam të punojmë me studentë nga kultura të ndryshme dhe të kuptojmë më mirë vlerat e barazisë dhe bashkëpunimit.”
Përveç studimeve, ato morën pjesë në aktivitete të shumta kulturore e sportive dhe evente ndërkulturore, duke njohur nga afër traditat norvegjeze.