Studentët e nivelit master diskutuan për shërbimet logjistike dhe transportin në tregun vendor me biznesmenin Ahmet Dobrunaj

3 Qershor 2021

Pronari i Kompanisë “Artida LD”, z. Ahmet Dobrunaj, ishte i ftuari i radhës, në cilësinë e folësit mysafir në kuadër të modulit “Menaxhimi i Furnizimit Zinxhiror”, që është pjesë e kurrikulës së programit master Marketing dhe Menaxhim Biznesi.

Qëllimi i organizimit të këtij aktivitetit ishte njoftimi me praktikat e funksionimit të logjistikës së kompanive kosovare, duke ndarë përvojat konkrete me kompaninë vendore “Artida LD”.

Diskutimi në këtë aktivitet u përqendrua në menaxhimin klasik të viteve të kaluara të logjistikës, si dhe ndryshimet e tanishme me sistemet e reja të digjitalizuara.


Studentët në këtë ligjëratë u njoftuan edhe për sidat e importimit të mallrave nga vendet e ndryshme ndërkombëtare, distribuimin e tyre në tregun vendor dhe mundësitë e eksportimit në tregun regjional dhe ndërkombëtar.

Edhe sfidat e krijuara me pandeminë Covid-19 ishin temë e veçantë diskutimi, duke pasur parasysh problemet dhe vonesat që ka krijuar në shërbimet logjistike.

Kompania Artida LD është një kompani e suksesshme kosovare e themeluar në vitin 1990, ndërsa nga viti 1998 merret edhe me shërbimet e eksportit dhe importit.

Veprimtaria kryesore e kompanisë është tregtia me shumicë e artikujve të imët metalikë, materialit instalues dhe pajisjes së ujësjellësit dhe ngrohjes.

Share: