Një grup studentësh nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike në Kolegjin AAB, kanë realizuar me sukses një projekt me temën “Sesion informues rreth sigurisë kibernetike”, të mentoruar nga profesori Ersan Hamdiu dhe financuar nga Kolegji AAB.
Ky projekt kishte për qëllim vetëdijësimin e nxënësve të shkollave të mesme mbi rreziqet dhe mbrojtjen në hapësirën digjitale.
Gjatë këtij projekti, grupi ka vizituar disa shkolla të mesme në Fushë Kosovë, Suharekë, Lipjan, Drenas dhe Ulqin, ku janë mbajtur prezantime informuese per nxënësit.
Përmes ligjëratave dhe një video praktike, nxënësve u janë prezantuar konceptet bazë të sigurisë kibernetike, si fjalëkalimet e sigurta, mbrojtja nga phishing, rëndësia e privatësisë online dhe rreziqet nga rrjetet sociale.
Përmes këtij aktiviteti, u vu re një interesim i madh nga ana e nxënësve dhe një nevojë e qartë për edukim të mëtejshëm në këtë fushë. Projekti u vlerësua pozitivisht nga nxënësit dhe stafi i shkollave, duke dëshmuar rëndësinë e këtyre nismave edukative në shoqëri.