Studentët nga Fakulteti i Shkencave Sociale në Kolegjin AAB, kanë realizuar një aktivitet humanitar me qëllim mbështetjen e fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara në Gjakovë.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të studentëve për promovimin e vlerave humane, solidaritetit shoqëror dhe përgjegjësisë qytetare.
Gjatë këtij aktiviteti studentët punuan kartolina me dorë, të cilat më pas u shitën, ndërsa mjetet e mbledhura u dedikuan për Qendrën Handikos, e cila ofron shërbime dhe mbështetje për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara.
Studentët gjithashtu njohën nga afër sfidat dhe nevojat e kësaj kategorie, bashkë me rëndësinë e përfshirjes së komunitetit dhe institucioneve arsimore në nisma të tilla.
Si pjesë e kësaj iniciative, prof. Diana Qarkaxhija dhe drejtoresha e Handikos, znj.Brilanta, vizituan Qendrën përkatëse, ku u takuan me fëmijët dhe të rinjtë, si dhe me prindërit e tyre, duke përcjellë mesazhe mbështetjeje, solidariteti dhe humanizmi.
Kjo nismë u vlerësua si përvojë e rëndësishme edukative për studentët, si kontribut në zhvillimin e ndjeshmërisë sociale.