Studentët e vitit të katërt të Fakultetit Juridik realizojnë simulime të seancave gjyqësore

10 Dhjetor 2024

Studentët e vitit të katërt në Fakultetin Juridik kanë realizuar simulime të seancave gjyqësore, në mënyrë që të kuptonin praktikisht se si funksionojnë ato.

Duke u bazuar në një rast të dizajnuar nga profesoresha Albana Pasjaqa, studentët u ndanë në grupe për të luajtur role të ndryshme, si avokatë të palëve, gjykatës dhe ekspertë të fushave përkatëse. Ky format iu mundësoi atyre të përdornin njohuritë teorike të marra gjatë leksioneve dhe t’i aplikonin ato në një situatë reale, duke analizuar dhe argumentuar në mënyrë të strukturuar. 

Ata paraqitën argumente të qarta dhe të forta, ndërsa përdorën njohuritë e tyre ligjore për të mbrojtur pozitat e klientëve të tyre, duke përmbushur të gjitha kriteret procedurale që kërkohen në një proces gjyqësor. Nga ana tjetër, studentët që luajtën rolin e gjykatësve kishin mundësinë të vlerësonin çështjen dhe të merrnin vendime të bazuara në ligjin në fuqi, që të zgjidhnin çështjet në mënyrë të drejtë dhe të balancuar. 

 Ky aktivitet ka theksuar angazhimin e fakultetit për të ofruar një arsimim të balancuar, duke kombinuar teorinë me praktikën dhe përgatitur studentët për sfidat e profesioneve ligjore.

Share: