Me pjesëmarrjen e rreth 30 garuesve, në Kolegjin AAB u mbajt edicioni i pestë i punëtorisë “Dita kur hakimi është i ligjshëm”, organizuar nga kompania Findbug në partneritet me Kolegjin AAB.
Sipas instruksioneve dhe rregullave të konkursit, “hakerët” e rinj, të cilët ishin studentë të institucioneve të ndryshme nga Kosova e Shqipëria si dhe nxënës të shkollave të mesme u përpoqën që të gjejnë vrimat dhe dobësitë e sigurisë në programe të ndryshme dhe të cilat u raportuan në kohë reale.
Plaforma transparente e krijuar nga kompania Findbug, pati për qëllimi që të gjithë të rinjtë e talentuar dhe të cilët kanë aftësi në fushën e hakimit, të kthehen në rrugën e drejtë, përmes shfrytëzimit të saj, andaj edhe çmimi për të cilin garuan pjesëmarrësit është quajtur “Ethical Hacker of the Year”.
Në këtë edicion, juria profesionale ndau vetëm dy çmime.
Sipas vlerësimit të jurisë profesionale, vendi i parë i takoi Çlirim Eminit, student i programit Siguri Kibernetike në Kolegjin AAB, ndërsa me vendin e dytë u shpërblye Gentrit Xhema, student në FIEK në UP.
Fituesi i garës, Çlirim Emini nën emocionet e fitores u shpreh i lumtur me suksesin e arritur, ndërsa theksoi se Kolegji AAB është institucion që bën diferencë në çdo aspekt me institucionet tjera.