Mahmut Aran, student nga Universiteti Esenyurt në Stamboll, Turqi, ka realizuar një praktikë tre mujore në kuadër të programit Erasmus në Kolegji AAB. Gjatë kësaj periudhe, nën mentorimin e Prof. Engin Melekoğlu, është zhvilluar një projekt i ngjashëm me aplikacionin e inteligjencës artificiale ChatGPT.
Në kuadër të projektit, dokumentet në format PDF të mbledhura në një dosje janë analizuar nga inteligjenca artificiale, me qëllim që nga këto dokumente të gjenerohen ide të reja. Projekti është realizuar me sukses dhe ka shërbyer për të testuar aftësitë e inteligjencës artificiale në kërkimin e informacionit dhe gjenerimin e përmbajtjes.
Prof. Engin Melekoğlu ka theksuar se zgjerimi i këtij projekti dhe përshtatja e tij në fusha të ndryshme mund të lehtësojë ndjeshëm proceset e qasjes në informacion dhe marrjes së vendimeve në sektorë të ndryshëm.
Sipas Prof. Melekoğlu, ky është vetëm një nga shembujt e bashkëpunimit të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike me institucione të ndryshme jashtë Kosovës.