Studimi i profesorit të AAB-së: Gjysma e fëmijëve që përjetuan luftën në Kosovë, kanë sot simptoma depresioni

10 Shtator 2025

Një studim i botuar nga stafi i AAB-së në revistën prestigjioze të Springer Nature ka sjellë gjetje me rëndësi të madhe shkencore dhe shoqërore, duke analizuar se si përjetimet traumatike gjatë fëmijërisë, të lidhura me Luftën e Kosovës (1998–1999), ndikojnë në personalitetin, depresionin dhe çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD) në moshën e rritur.

Studimi përfshiu 355 studentë universitarë, të cilët gjatë luftës kishin qenë 2–8 vjeç dhe në kohën e mbledhjes së të dhënave (tetor 2015) kishin një moshë mesatare prej 20.6 vitesh.

Studimi me autor Profesorin e Kolegjit AAB Naim Telaku, konstaton se mbi 13 për qind e pjesëmarrësve përmbushnin kriteret për PTSD, ndërsa rreth 40 për qind kanë trauma të lidhura me luftën, duke theksuar se përjetimet e hershme kanë lënë gjurmë të thella. Nga këto rezultate, shqetësuese është edhe fakti se rreth 50 per qind e të anketuarve që në kohën e luftës kanë qenë fëmijë, sot kanë simptoma të depresionit.

Këto rezultate theksojnë se trauma e përjetuar gjatë fëmijërisë nuk mbetet e kufizuar në kujtime të largëta, por shfaq pasoja reale në shëndetin mendor dhe zhvillimin e personalitetit të brezave të rritur sot.

Studimi i plotë mund të lexohet në revistën Journal of Child and Adolescent Trauma

Share: