Në kuadër të shënimit të 25 vjetorit të themelimit të Kolegjit AAB, Fakulteti i Shkencave Shëndetësore ka organizuar një trajnim falas për stafin mësimdhënës të Shkollës Fillore “Mihal Grameno” – Aneksi 2, Fushë Kosovë, me temën “Ndihma e parë në shkollë”. Aktiviteti u mbajt më 13 shtator 2025 dhe zgjati dy orë akademike, nën udhëheqjen profesionale të Prof. Edona Gara dhe Ass. Shenaj Mumini.
Gjatë këtij trajnimi, mësimdhënësit patën mundësinë të përfitojnë njohuri teorike dhe praktike mbi ringjalljen kardiopulmonare, trajtimin e gjakderdhjeve, ndihmën e parë në rastet e sulmeve epileptike dhe neurozave, si dhe menaxhimin e situatave të tjera urgjente që mund të ndodhin gjatë procesit edukativ, përfshirë lëndimet e hapura, frakturat dhe topitjet.
Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte ngritja e kapaciteteve profesionale të stafit mësimdhënës, duke i pajisur ata me aftësi të domosdoshme për ndërhyrje të shpejtë dhe të saktë në rast emergjencash, në mënyrë që të mbrohet shëndeti dhe siguria e nxënësve.
Ky trajnim është pjesë e aktiviteteve që po zhvillohen në kuadër të 25 vjetorit të Kolegjit AAB, duke dëshmuar përkushtimin e këtij institucioni si lider në arsimin e lartë në Kosovë. Përmes programeve akademike cilësore, projekteve kërkimore dhe aktiviteteve të shumta komunitare, AAB prej një çerek shekulli mbetet sinonim i cilësisë, inovacionit dhe standardeve evropiane në arsim, shëndetësi dhe zhvillim shoqëror.