Fakulteti i Gjuhës Angleze në Kolegjin AAB mbajti “Konferencën e Parë Shkencore Alumni 2021 për Gjuhësi, Letërsi dhe Didaktikë”.
Ky aktivitet shënoi themelimin e një rrjeti të përbashkët midis të diplomuarve në Programin Master të Fakultetit të Gjuhës Angleze me profesorët e këtij fakulteti.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Kolegjit AAB, profesor Bujar Demjaha u shpreh se ALUMNI është një komunitet i rëndësishëm pasi janë të diplomuarit ata të cilët reflektojnë suksesin e Kolegjit me punën e përditshme dhe projektet e të diplomuarve në Kosovë dhe jashtë saj.
Rektori Demjaha u shpreh se ky aktivitet duhet të kthehet në një traditë të përvitshme, edhe në nivel Kolegji. Ndërsa dekanja e Fakultetit të Gjuhës Angleze, profesor Aida Alla shprehu vlerësimin e saj për pjesëmarrësit si edhe falënderoi ish-mentorët për bashkëpunimin e ngushtë me kandidatet e tyre. Ajo tha se studimet e tyre 5 vjeçare në Kolegjin AAB u kanë hapur dyert për sukseset e radhës.
Konferenca kishte për qëllim kryesor prezantimin e gjetjeve të hulumtuesve të rinj në fushën e gjuhësisë, letërsisë dhe didaktikës, të cilat padyshim janë të rëndësishme në të mësuarit, studimin dhe zhvillimin e një gjuhe.
Konferenca mirëpriti rreth 30 hulumtues të cilët dhanë prezantimet e tyre në gjuhën angleze dhe shqipe.
Profesorët e Kolegjit AAB gjithashtu morën pjesë në diskutime, duke parashtruar pyetje dhe duke dhënë komente në mënyrë të vazhdueshme. Konferenca rezultoi e suksesshme dhe pjesëmarrësve iu ndanë certifikata nga mentorët e tyre respektivë.