Kolegji AAB si institucion i lartë jopublik arsimor i kushton një rëndësi të veçantë përvetësimit të njohurive të reja, gjegjësisht hulumtimit. Me qëllim të zgjerimit të diapazonit të njohurive, për të ngritur debat dhe për të krahasuar këto njohuri nga perspektiva të ndryshme akademike, Fakulteti i Komunikimit Masiv i Kolegjit AAB organizoi Konferencën Studentore Shkencore “Komunikimi dhe Informacioni në Epokën e Mediave Sociale dhe Fake News”.
Konferenca u hap nga dekani i Fakultetit të Komunikimit Masiv të Kolegjit AAB, Hasan Saliu, i cili u dëshiroi mirëseardhje pjesëmarrësve dhe përshëndeti këtë organizim të përvitshëm në kuadër të fakultetit përkatës. Hulumtimet shkencore trajtuan tema të ndryshme të shoqërisë, disa prej tyre ishin: “Imazhi i Shqipërisë gjatë pandemisë COVID-19, rasti i dërgimit të mjekëve dhe infermierëve në Itali”, “Imazhi ndërkombëtar i Kosovës nëpërmjet raportimit të mediave ndërkombëtare për zgjedhjen e presidentes Osmani”, “Lajmet e rreme gjatë periudhës së pandemisë në mediat sociale të Kosovës”, etj.
Kontribut me punimet e tyre shkencore në konferencë kanë dhënë studentët nga Kosova dhe Shqipëria. Studentët pjesëmarrës potencuan se kjo konferencë është një mundësi mjaft e mirë për të prezantuar kërkimet e tyre dhe për të krijuar miq të rinj.