Për të shënuar Ditën e Flamurit dhe 112 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Unioni Studentor i Kolegjit AAB ka organizuar një ceremoni festive me këngë, valle dhe interpretime artistike. Duke vlerësuar kontributin e brezave të tërë për liri dhe pavarësi, ceremonia shënoi momente argëtimi dhe feste për studentët që e ndoqën atë.
Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, në urimin e tij për këtë datë tejet të rëndësishme për gjithë kombin shqiptar, tha se me 28 nëntor filloi një kapitull i ri, andaj brezat e rinj duhet të edukohen për të ruajtur kujtimin e atyre që dhanë jetën për liri.
“Për shqiptarët, kjo ditë ka një kuptim të veçantë, sepse ajo simbolizon luftën dhe sakrificat për liri, një luftë që ka vazhduar për shumë vite, që nga momenti i shpalljes së pavarësisë deri në ditët e sotme. Si universitet, ne kemi detyrën të kujtojmë dhe të edukojmë brezat e rinj për këtë trashëgimi të shenjtë, për të ruajtur kujtimin e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe për të siguruar që vizioni i tyre për një komb të fortë dhe të bashkuar të jetojë nëpërmjet veprës tonë akademike dhe angazhimit social”, tha Olluri.
Në këtë ceremoni pati pika të shumta artistike si: pikë muzikore nga këngëtari Sabri Fejzullahu, valle tradicionale shqiptare nga SHMU-2 me koreograf Saim Bivolaku, performancë nga Kori i Kolegjit AAB, pikë muzikore me kitarë nga Vullnet Haliti dhe interpretim artistik nga studentja e Fakultetit të Komunikimit Masiv Albenita Sopaj.