Atmosfera bashkëpunuese, idetë e reja dhe planet për të ardhmen karakterizuan takimin mes drejtuesve të Kolegjit AAB dhe përfaqësuesve të Universitetit Teknik të Konya-s nga Turqia, të mbajtur në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Stafit në AAB.
Rektori i AAB-së, Prof. Dr. Blerim Olluri, së bashku me Prorektoren për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Asoc. Dr. Venera Llunji, pritën në takim Dr. Hüseyin Deveci, Pro-rektor i Universitetit Teknik të Konya-s, dhe Assoc. Prof. Dr. Muharrem H. Aksoy nga Fakulteti i Inxhinierisë dhe Shkencave Natyrore.
Bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve, ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të thelluar bashkëpunimin dhe për të shpalosur iniciativa konkrete në kuadër të saj. U diskutua për shkëmbime të studentëve dhe stafit nëpërmjet programit Erasmus+, për organizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, si dhe për aktivitete të përbashkëta akademike e shkencore.
Përveç takimeve zyrtare, mysafirët turq ishin pjesë aktive në sesionet dhe aktivitetet e Javës Ndërkombëtare, ku ndanë përvojat e tyre dhe theksuan vlerën që sjell bashkëpunimi ndërkombëtar në përgatitjen e gjeneratave të reja të profesionistëve.
Kjo vizitë përforcon rolin e AAB-së si një qendër e hapur akademike, që ndërton ura me universitete partnere dhe i ofron komunitetit të saj mundësi të reja në një kontekst gjithnjë e më global.