Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim, Venera Llunji, dhe zyrtarja për zhvillim të projekteve, Erëza Mehmeti, janë duke zhvilluar takime partneriteti gjatë këtyre ditëve me përfaqësues të Universitetit Caen në Normandi.
Të dy institucionet janë partnere përmes programit Erasmus+ për shkëmbim të stafit akademik dhe të studentëve, si dhe për zhvillim të projekteve të ndryshme.
Në ditën e parë të qëndrimit të tyre ato kanë zhvilluar takime dhe kanë grumbulluar, shqyrtuar dhe sqaruar informacione të rëndësishme për zhvillimin e një projekti konkret, me të cilin do aplikohet në thirrjen e hapur nga Erasmus+ CBHE, bashkë me universitetin Caen.
Takimet janë mbajtur me anëtarë të stafit akademik, menaxherial dhe politikbërës. Poashtu janë identifikuar dhe propozuar hapat e ardhshëm për vazhdim të realizimit të aktiviteteve të parapara me projektin tashmë të aprovuar për shkëmbim të stafit dhe studentëve, në veçanti të Fakultetit të Kulturës Fizike dhe sportit si dhe Fakultetit të Komunikimit Masiv.
Ndër të tjera u bisedua edhe për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të UNICAEN në Javën Ndërkombëtare të Kolegjit AAB si dhe të studentëve nga Kolegji AAB në shkollën verore në UNICAEN.
Llunji dhe Mehmeti zhvilluan takime me këta përfaqësues: Hélène Bouraima-Lelong, nënkryetare e Komisionit për Arsim dhe Zhvillim të jetës universitare; Mathilde Lechevrel, nënkryetare për sport, shëndet dhe jetë cilësore; Christophe Rochais, nënkryetar për marrëdhënie ndërkombëtare; Stéphane Ropiquet dhe Sandra Perez Ramos, udhëheqës të fakultetit të Komunikmit dhe Informimit të Institutit për Teknologji të UNICAEN; Isabelle Triniac, drejtoreshë e zyrës për program ndërkombëtar të mobiliteteve.