𝙃𝙖𝙥𝙚𝙩 𝙋𝙖𝙣𝙖𝙞𝙧𝙞 𝙞 𝙆𝙖𝙧𝙧𝙞𝙚𝙧𝙚̈𝙨 𝙙𝙝𝙚 𝙋𝙪𝙣𝙚̈𝙨𝙞𝙢𝙞𝙩 – 𝙎𝙩𝙪𝙙𝙚𝙣𝙩𝙚̈𝙩 𝙣𝙟𝙚̈ 𝙝𝙖𝙥 𝙢𝙚̈ 𝙖𝙛𝙚̈𝙧 𝙩𝙧𝙚𝙜𝙪𝙩 𝙩𝙚̈ 𝙥𝙪𝙣𝙚̈𝙨

28 Prill 2025

Në ambientet e Kolegjit AAB është hapur Panairi i Karrierës dhe Punësimit, për edicionin e katërt me radhë ku u mblodhën mbi 60 kompani, organizata, institucione publike dhe private, të cilët prezantuan për studentët mundësi konkrete punësimi apo praktikë profesionale.

Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi rëndësinë e panairit për studentët që të jenë në hap me kërkesat e tregut të punës.

“Ky panair është një dritare mundësish për studentët tonë që të lidhen me ndërmarrjet, kompanitë, organizatat që janë mundësi potenciale e tyre për punësim dhe në anën tjetër për të gjithë partnerët që sot janë këtu, që të takojnë dhe identifikojnë talentët e rinj që do të formësojnë të ardhmen. Në këtë kontekst, edhe praktikat profesionale për studentët tanë zënë një vend të veçantë, duke shërbyer si urë lidhëse ndërmjet dijes akademike dhe përvojës reale në tregun e punës”, tha Olluri.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Kryetari i Bordit Industrial të Kolegjit AAB Arian Zeka, tha se panairi çdo vit shërben si mundësi e shkëlqyer për kompanitë dhe studentët të njoftohen me nevojat e tregut të punës, të dinë rreth procesit të aplikimit për punë, por edhe për stafin akademik që të shohin se cilat janë kërkesat në mënyrë që të përgatisin studentët.

Në panair fjalë rasti patën edhe zv/ministri në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve Agon Dobruna dhe zv/ministri në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë Mentor Arifaj, të cilët përshëndetën organizimin e Kolegjit AAB, duke thënë se është një platformë bashkëpunimi dhe ngjarje e rëndësishme për t’i ndihmuar të rinjtë të kalojnë nga arsimi në punësim.

Drejtoresha e Qendrës për Karrierë Jehona Rukovci, shpalli të hapur Panairin për Karrierë dhe Punësim, duke falënderuar të gjitha kompanitë pjesëmarrëse dhe institucionet për bashkëpunim në këtë ngjarje.

#25vjetaab#Panairi2025#aab

Share: