18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës: Tryezë Akademike në Kolegjin AAB për Shtetformimin Politik dhe Institucional

18 Shkurt 2026

Me rastin e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Fakulteti i Administratës PublikeKolegji AAB organizoi tryezë diskutimi me temën “17 Shkurti – Shtetformimi i Kosovës: Dimensioni historik, politik dhe institucional”.

Tryeza u hap me fjalën e Rektorit të Kolegjit AAB, Dr.Sc. Blerim Olluri, i cili theksoi rëndësinë e rolit të institucioneve të arsimit të lartë në kultivimin e mendimit kritik dhe në ndërtimin e një kulture institucionale të përgjegjshme, në funksion të forcimit të shtetit të Kosovës.

Dekani i Fakultetit të Administratës Publike, Prof. Dr. Vrullim Buja, e cilësoi 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, si “kulmim të një rruge të gjatë sakrifice dhe përpjekjeje kolektive për liri, dinjitet dhe shtetësi”.

Paneli tematik në kuadër të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës u zhvillua me referimet e Prof. Ass. Dr. Ramë Buja dhe Prof. Ass. Dr. Melihate Tërmkolli.

Prof. Ramë Buja trajtoi temën “17 Shkurti si moment historik i shtetformimit të Kosovës”, duke e analizuar këtë datë si pikë kthese në historinë politike të vendit. Ai ngriti çështjen nëse 17 Shkurti duhet parë si kulmim i një procesi historik apo si fillim i një etape të re shtetformuese, duke argumentuar se shpallja e pavarësisë përfaqësonte njëkohësisht përmbyllje të një kapitulli të gjatë përpjekjesh dhe hapje të një periudhe të re përgjegjësish institucionale për Republikën e Kosovës.

Ndërkaq, Prof. Melihate Tërmkolli në referimin e saj “Roli i faktorëve politikë dhe diplomatikë në konsolidimin e pavarësisë së Kosovës” theksoi rëndësinë e dimensionit ndërkombëtar në procesin e konsolidimit shtetëror pas vitit 2008. Ajo analizoi progresin e arritur në subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, duke evidentuar njëkohësisht sfidat që lidhen me njohjet, integrimin dhe fuqizimin e kapaciteteve shtetërore.

Një pjesë e veçantë e tryezës së organizuar për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës iu kushtua reflektimeve personale të të ftuarve të nderit, ndër ta znj. Sala Berisha Shala, znj. Safete Hadergjonaj, znj. Selvie Halimi, z. Berim Ramosaj, z. Ibrahim Gashi dhe z. Gani Koci. Përmes dëshmive dhe përvojave të tyre në proceset shtetformuese, ata ndanë emocione dhe perspektiva mbi peshën historike të 17 Shkurtit dhe përgjegjësinë që buron prej tij për gjeneratat aktuale dhe të ardhshme.

Në përfundim të aktivitetit për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, organizatorët uruan të pranishmit me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke ritheksuar se ndërtimi i shtetit mbetet një proces i vazhdueshëm që kërkon angazhim akademik, institucional dhe qytetar.

Share: