50 studentë të Psikologjisë po kryejnë punën praktike në pesë qendra për shërbime psiko-sociale

20 Dhjetor 2018

Studentët e Psikologjisë të Kolegjit AAB, përveç sukseseve të treguara gjatë studimeve, janë të angazhuar për punë praktike edhe në institucione vendore e ndërkombëtare me të cilët Kolegji AAB ka bashkëpunim të vazhdueshëm.

Fakulteti i Psikologjisë ka nënshkruar dhjetëra memorandume bashkëpunimi me institucione të ndryshme psiko-sociale, ku përveç aktiviteteve të përbashkëta që organizohen gjatë vitit akademik, nuk mungojnë as praktikat e studentëve që sigurohen përmes implementimit të këtyre bashkëpunimeve.

Duke i shfrytëzuar këto mundësi që ofron Kolegji AAB, vetëm gjatë këtij semestri, 50 studentë të Fakultetit të Psikologjisë janë sistemuar për punë praktike në pesë qendra të mëdha që operojnë në Kosovë, siç janë: SOS Fshatrat e Kosovës, Downsyndrome Kosova, Labyrinth, PEMA dhe Autizmi.   

Gjatë kontaktimit me studentët në lidhje me përvojat e tyre gjatë kryerjes së punës praktike pranë këtyre qendrave,  ata u shprehën se praktika të tilla janë të domosdoshme, sidomos për profesionin e një psikologu, ku praktika është ajo që të ndihmon të kompletosh kompetencat akademike duke të bërë të gatshëm për tregun e punës.

Share: