Për shtatë netë me radhë publiku në numra rekord ka mbushur teatrot e Kolegjit AAB, për të ndjekur shfaqjet nga shtete të ndryshme të botës në një vend – Prishtinë.
Kjo javë mblodhi trupat teatrale, regjisorët dhe të gjithë dashamirët e teatrit për edicionin e tetë me radhë, duke korrur çdo vit sukses të jashtëzakonshëm.
Në ceremoninë e Ndarjes së Çmimeve morën pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, zv/kryemninistrja Emilia Redzepi, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë Sh.T Bernard Çobaj, ambasadorja e Kroacisë në Kosovë Sh.S Danijela Barišić dhe shumë figura tjera të rëndësishme nga jeta publike.
PITF, ju dedikoi hapësirë edhe këtë edicion studentëve, për të bërë përzgjedhjen e tyre përmes çmimit “Best Play: Students choice”, të cilin në emër të Jurisë së Studentëve e ndau Qëndresa Gashi, për shfaqjen “Here, Kitty Kitty”.
Regjisori i shfaqjes “Here, Kitty Kitty” Filip Petkovski, u shpreh i nderuar që një çmim si ky është dhënë për shfaqjen e tij, ndërsa e cilësoi si eksperiencën më të mirë pjesëmarrjen në festival.
Juria e Medias, e përbërë nga Lumira Kelmendi – RTK, Ardiana Pajaziti – Kultplus dhe Teuta Arifaj – ATV, çmimin “Best Play: Media choice”, e ndanë për shfaqjen “Babai dhe Babai” me regji të Kushtrim Koliqit. Ai falënderoi publikun, ekipin e aktorëve dhe festivalin për çmimin e dhënë.
Këngëtari i mirënjohur Sabri Fejzullahu, u ftua të ndante “Best Play: Public award” për këtë vit, çmim ky që i takoi shfaqjes “Muhammad Ali, the one and only” nga regjisori Dino Mustafić.
Drejtori i ARTimage, bashkëorganizator i festivalit Ilir Bytyçi, dhuroi çmimin “Special Mention”, në emër të këshillit organizativ të festivalit për Teatrin Kombëtar të Malit të Zi, me shfaqjen “Bloody Moon”.
Aktori Enver Petrovci, ndau çmimin “Best Supporting Role”, për Dino Bajrović nga shfaqja “Muhammad Ali, the one and only”.
Kurse çmimi “Best Actor”, të cilin e dha aktori Ilir Tafa, shkoi për aktoren Ilire Vinca nga shfaqja “Babai dhe Babai” nga Kosova.
Drejtori i Prishtina International Theater Festival, Zijad Mehic, falënderoi të gjithë të angazhuarit në realizimin e kësaj ngjarje tejet të rëndësishme për artin dhe kulturën në përgjithësi. Ndër të tjera ai shprehu mirënjohje edhe për pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti, prej fillimit deri në fund të festivalit. Nga të nominuarit, çmimin për “Best Director” e fitoi Kushtrim Koliqi për shfaqjen “Babai dhe Babai” nga Kosova.
Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, në këtë edicion të PITF ndau çmimin “Best Play”, çmimin kryesor të PITF, e cila i takoi shfaqjes “Muhammad Ali, the one and only” nga Teatri Kombëtar i Sarajevës.
“Kanë filluar të më pyesin pse po shkoj në shfaqje, sepse me gjasë po shkoj shpesh, kur po u them se po shkoj për qejf nuk po më besojnë. Kështu që në edicionin e nëntë mos më dërgoni ftesë fare, sepse vij vetë. Festivale si ky dhe ngjarje të këtilla e bëjnë artin kulturë, andaj i falënderoj përzemërsisht dhe shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kanë punuar dhe kontribuar.”, u shpreh Kurti.
Kjo është lista e plotë e çmimeve nga edicioni i tetë i PITF 2024: