Qëllimi i programit Master “Përkujdesje dhe Mirëqenia e Fëmijëve” është të përgatisë profesionistë të kualifikuar dhe të specializuar që kombinojnë njohuritë akademike me shkathtësitë praktike në fushën e përkujdesjes, edukimit dhe mirëqenies së fëmijëve. Programi synon të adresojë nevojat e tregut të punës dhe të institucioneve publike e jopublike për kuadro kompetente që do të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për fëmijët dhe në ngritjen e kapaciteteve menaxheriale të institucioneve që operojnë në këtë fushë.
Programi Master “Përkujdesje dhe Mirëqenia e Fëmijëve” përgatit:
Profili i këtij programi është unik dhe inovativ, duke reflektuar një qasje ndërdisiplinore që lidh edukimin, mirëqenien sociale dhe menaxhimin institucional me fokus në fëmijërinë e hershme.
Studentët që përfundojnë këtë program do të jenë në gjendje të:
Me rastin e përfundimit të studimeve, kandidati fiton thirrjen: Master i Arteve në Përkujdesjen dhe Mirëqenien e Fëmijëve.
Studimet në Programin MA Përkujdesje dhe Mirëqenie e Fëmijëve zgjasin 1 vit, 60 ECTS, me gjithsej 2 semestra.
Lënda “Metodologjia e Hulumtimit në Shkenca Sociale” synon të pajisë studentët me njohuri teorike dhe shkathtësi praktike për dizajnimin dhe realizimin e hulumtimeve shkencore. Ajo përfshin identifikimin e problemeve hulumtuese, përzgjedhjen e metodologjisë, mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, si dhe interpretimin dhe prezantimin e rezultateve.
Lënda “Praktikat bashkëkohore dhe strategjitë e edukimit në fëmijërinë e hershme” synon të pajisë studentët me njohuri dhe aftësi për zbatimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies, menaxhimin efektiv të klasës, planifikimin e aktiviteteve dhe orëve mësimore, si dhe nxitjen e mendimit kritik, reflektimit profesional dhe zgjidhjes kreative të problemeve në kontekstin e kurrikulës moderne.
Lënda “Udhëheqja dhe menaxhimi në institucionet parashkollore” synon të zhvillojë tek studentët njohuri dhe aftësi për menaxhimin efektiv të institucioneve të fëmijërisë së hershme. Studentët angazhohen në hulumtime praktike mbi strukturën organizative, planifikimin zhvillimor dhe zhvillimin e kompetencave udhëheqëse, komunikimit dhe bashkëpunimit profesional.
Lënda “Politikat sociale në fëmijërinë e hershme” synon t’u ofrojë studentëve njohuri teorike dhe praktike mbi mirëqenien sociale të fëmijëve në Kosovë, përmes analizës së politikave, legjislacionit dhe praktikave bashkëkohore. Studentët zhvillojnë aftësi për të kuptuar sfidat sociale, duke reflektuar kritikisht mbi përmirësimin e politikave ekzistuese.
Lënda “Integrim i teknologjisë në edukim” ofron një analizë të thellë të përdorimit dhe sfidave të teknologjisë në procesin mësimor. Studentët eksplorojnë planifikimin e kurrikulës, krijimin e materialeve interaktive dhe përdorimin e platformave virtuale. Kursi përfshin ndikimin e inteligjencës artificiale, kodimin për fëmijë, ndihmën teknologjike për nevoja të veçanta, si dhe sigurinë dhe privatësinë në ambientin digjital.
Lënda “Mirëqenia e fëmijëve në familje” trajton në mënyrë të thellë çështjet e sigurisë, përkujdesjes dhe mirëqenies së fëmijëve brenda familjes. Përmes qasjes ndërdisiplinore, studentët analizojnë faktorët socio-kulturorë, ekonomikë dhe psikologjikë që ndikojnë në mirëqenien e fëmijëve, duke u fokusuar në ndërhyrjet inovatore, drejtësinë sociale dhe ligjet në Kosovë për mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijëve dhe familjeve.
Lënda “Metodologji e avancuar e edukimit në fëmijërinë e hershme” u ofron studentëve njohuri dhe aftësi për përdorimin e qasjeve dhe metodave pedagogjike të avancuara në institucionet parashkollore. Ajo përfshin studimin e kurrikulës, organizimin e aktiviteteve, strategjitë për nxitjen e socializimit dhe zhvillimin njohës të fëmijëve, si dhe rolin e edukatorëve dhe prindërve si partnerë në procesin edukativ. Qëllimi është përgatitja e studentëve për të zbatuar praktikat më të përshtatshme në edukimin e hershëm.
Lënda “Psikologjia e edukimit” u ofron studentëve njohuri mbi zhvillimin psiko-social të individit, me fokus në fëmijërinë e hershme dhe ndikimin e mjedisit. Në përfundim, studentët do të jenë të aftë të përdorin këto njohuri për të kuptuar zhvillimin dhe për të aplikuar ndërhyrje psikologjike, veçanërisht në programe parandaluese.
Teza e masterit ka për qëllim që studenti të praktikojë dhe të zbatojë teoritë dhe metodat për zgjidhjen e problemeve komplekse në Shkencat Kompjuterike. Lënda mbulon gjithë procesin kërkimor: nga përcaktimi i temës dhe projektit, rishikimi i literaturës, dizajnimi i kërkimit, përzgjedhja e popullatës dhe instrumenteve matëse, mbledhja dhe analiza e të dhënave, deri te hartimi dhe vlerësimi i raportit shkencor, duke përfshirë detyra praktike paralel me përgatitjen akademike.