Oda Ekonomike Amerikane kritikon procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike

22 Mars 2017

Intervistë me Arian Zeka

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, vlerëson se rishikimi i procesit të privatizimit në Kosovë, është veprim i drejtë, pasi deri më tani procesi i privatizimit është shoqëruar me shumë mangësi dhe lëshime që kanë ndikuar në tërheqjen e investimeve nga jashtë dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Cili është qëndrimi i Odës Ekonomike Amerikane, për procesin e privatizimit në Kosovë?
Oda Ekonomike Amerikane (OEA), si përfaqësuese e sektorit privat, mbështetë procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike, pasi kjo është një nga mënyrat e tërheqjes së investimeve nga jashtë dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. Dhe si odë ekonomike jemi të interesuar që ky proces që deri më tani është shoqëruar me të meta të shumta të rishikohet, në mënyrë që privatizimi i ndërmarrjeve të jetë në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit.

Përmendët se procesi i privatizimit deri më tani është shoqëruar me shumë të meta. Cilat janë të metat që sipas jush e kanë përcjellë procesin e privatizimit dhe që kanë ndikuar që ky proces në shumicën e rasteve të llogaritet i dështuar?
Është vlerësim i përgjithshëm se procesi i privatizimit, nuk i ka shërbyer qëllimit për çka edhe ka edhe është bërë, pra ngritjes së kapaciteteve të ndërmarrjeve që do të mundësonin zhvillimin ekonomik. Si të meta kryesore të cilat kanë ndikuar që procesi i privatizimit në Kosovë mos të arrijë qëllimin janë mungesa e një vlerësimi të mirëfilltë i ndërmarrjeve shoqërore para se të fillojë privatizimi i tyre, puna jo profesionale e bordit të AKP-së dhe problemet me pronat e uzurpuara.

Ju lutem, na sqaroni më tepër këto të meta?
Hyrja në këtë proces pa u bërë vlerësimi i mirëfilltë i gjitha kapaciteteve të ndërmarrjeve duke filluar nga numri i punëtorëve që kanë punuar në këto ndërmarrje para dhe pas luftës, si dhe kapaciteteve të tjera të këtyre ndërmarrjeve ka bërë që mos të dimë numrin e punëtorëve si dhe kapaciteteve që kishin këto ndërmarrje para procesit të privatizimit dhe pas këtij procesi. Pastaj, Bordi i AKP-së që ka udhëhequr me procesin e privatizimit është emëruar nga qeveria dhe është përbërë nga njerëz të qeverisë dhe politikës, e jo nga profesionistë të cilët do të ishin të nevojshëm për hartimin e politikave që procesi i privatizimit të shkonte në drejtim të arritjes së qëllimit të vet. Kurse uzurpimet e pronës shoqërore dhe publike, kanë ndikuar që shumë prona të privatizuar të mbesin me nga 2 apo 3 vite pa u shfrytëzuar nga pronarët që i kishin blerë ato.

Pos këtyre të metave që përmendët privatizimi është shoqëruar edhe me shumë zëra kritikë se ndërmarrjet si shoqërore ashtu edhe publike janë shitur më lirë se që ishte vlera reale e tyre. Çka mund të na thoni për këtë çështje?
Nuk duhet të fajësohen bizneset pse ato kanë blerë ndërmarrjet me çmime më të lira se që është menduar nga punëtorët apo subjektet e tjera. Problemi qëndron aty se AKP dhe institucionet e tjera nuk kanë bërë sa duhet në promovimin e këtyre ndërmarrjeve në mënyrë që ato të shiten me vlera reale të tyre .

Përmendët faktin se procesi i privatizimit duhet të rishikohet dhe për këtë është angazhuar edhe vetë Kuvendi i Kosovës, duke formuar një komision që do të merret me rishikimin e këtij procesi. Sa mund të ndikojë rishikimi i procesit të privatizimit tanimë kur shumica e ndërmarrjeve shoqërore janë shitur?
Rishikimi i procesit të privatizimit rrit transparencën e këtij procesi si dhe do të ndikojë në rritjen e besimit tek investitorët e jashtëm seriozë, që ata ta shtojnë interesimin për të investuar në Kosovë. Ndërmarrjet publike që janë në proces të privatizimit paraqesin një mundësi reale për zhvillim të vendit, prandaj një angazhim i përbashkët i gjithë mekanizmave relevantë në Kosovë, përfshirë këtu edhe shoqërinë civile, që të kenë një qasje më të drejtë ndaj procesit të privatizimit të tyre, sepse çdo zhurmë që krijohet rreth privatizimit të këtyre ndërmarrjeve ndikon tek investitorët e jashtëm që ata t’u ikin investimeve në Kosovë.

Intervistoi: Ibrahim Sefedini

Share: