Mënyra më e mirë e jetesës në kryeqytet

23 Mars 2017

Për shfrytëzim të hapësirës, për të dhënë një risi nga viti në vit, dhe për të dalluar një qytet me një fshat, përpos  ideve për ndërtimin e shtëpive që në të shumtën e rasteve ishin një katesh,lind ideja për ndërtimin e objekteve me banim në bashkësi. Kësaj ideje vetëm e më shumë po i rritet vlera, ngase çdo herë e më shumë ndërtohen banesa që iu servohen banorëve të rinj. Si bazë e kësaj ideje vijnë shumë modele të krijimit të vendbanimeve bashkiake.

Në tërë botën është kjo strukturë e vendqëndrimit të njerëzve.
Në vendin tonë thuhet se banesat nuk kishin filluar edhe aq vonë të ndërtohen.

Rreth vitit 1982-1983 në nevojë të zgjerimit të zonave urbane një lagje e re u krijua në kryeqytetin që ishte në atë kohë krahinë autonome.

Kjo krahinë ishte Kosova që kryeqytet kishte Prishtinën. Kësaj lagjeje iu dha emri Bregu i Diellit.

Regjimi komunist në Federatën Jugosllave kishte një planë urbanistik në atë kohë që struktura e ndërtimit të këtyre objekteve që iu dedikohej punëtorëve t’i plotësonte të gjitha nevojat e shfrytëzuesve.

‘’E kanë planifikuar mirë kur kanë dashur t’i ndërtojnë këto banesa. Kanë lënë hapësirë për gjelbërim, parkingje kanë lënë pak se edhe e kanë nxënë vendin, po edhe në atë kohe s’ka pasur shumë vetura.

Nuk i kanë ndërtuar në ato vende ku nuk ka mundësi rregullimi apo ndërtimi si p.sh. rrugën, ambulancën shkollën e shumë të tjera‘‘- rrëfen Fitnete Gorqaj, banore në këto ndërtesa që prej 20 viteve.

Konstruktimi i këtyre ndërtesave ishte i planifikuar. Rreth tyre duhej që të ndërtoheshin institucionet në nevojë të qytetarëve, duke përfshirë shkollën, qendrën e mjekësisë familjare, tregun e kështu të gjitha që u nevojiteshin banorëve, ku sot e asaj kohe ende janë në shfrytëzim.

Krahas vjetërsisë dhe ndërrimit të konstruksionit nga vetë banorët këto ndërtesa vazhdojnë të qëndrojnë të forta. ‘’ Kanë ndodhur shumë tërmete, ka pasur bile edhe vërshime,e edhe banorët duke i ndryshuar si kanë pasur dëshirë, këto banesa prapëseprapë janë të forta.

Rolin kryesor e ka materiali që i kanë ndërtuar’’ tregon Fitnetja. Duke parë vjetërsinë e këtyre banesave dhe shtimin e vazhdueshëm të popullsisë, si dhe zhvendosjen e popullsisë nga trevat e tjera në kryeqytet, filloi dalëngadalë ndërtimi i objekteve të reja që kanë për synim shtimin e banorëve të rinj në lagje.

Ndërtesat e reja siç duket nuk ishin shumë të fokusuara në planin urban. Ndërtuesit e rinj kanë lënë përshtypjen se ata vetëm donin që këto ndërtesa t’i nisnin dhe përfundimi i tyre të jetë sa më i afërt në kohë.

Prapa banesave të kuqe, siç njihet kjo zonë në këtë lagje, shihet një fluks i madh i ndërtimit. Ky fluks paksa e ka ngulfatur këtë pjesë. Përveç që janë të bukura për syrin elementet e tjera i ka më të dobëta.

Krahasuar me ndërtim të vjetër, këto të rejat kanë përparësi që janë të ‘’freskëta’’, siguri më të madhe për vetura se garazhet i kanë në podrume, dhe kanë të paktën nxehje gjatë dimrit. Këtë e thotë Bajram Hasani, banor që jeton në banesat e reja prej 3 viteve.’

’Kur e kam blerë banesën unë, këtu ka qenë e përfunduar, ka qenë veç kjo edhe 2 ose 3 objekte krejt. Pastaj si kërpudhat, shumë shpejt janë shumuar brenda një kohe shumë të shkurtër’’ tha ai.

Siç duket atij fare nuk po i pëlqen ky plan. Mos pajtim lidhur me këtë kanë edhe banorët e tjerë të kësaj zone të re. ‘’Shumë ngushtë jemi bërë, disa ndërtesa janë ndërtuar menjëherë afër rrugës, infrastrukturën e kanë shumë të dobët ‘’- tregon z.Hasani.

Në krahasim me ndërtesat e vjetra që ishin të gjitha me plan, këto të rejat duket se i kanë futur në dyshim edhe vetë banorët për kualitetin e materialit të ndërtimit.

Ankesa nga banorët ka se edhe menjëherë afër rrugës janë ndërtuar ku me ligj është e paraparë që rruga kryesore të jetë 8 metra larg objektit të banimit. Infrastruktura rreth ndërtesave është shumë e dobët.

Jo të gjitha ndërtesat e reja në lagje janë në këtë gjendje. Në anën tjetër, që i bie përballë banesave të kuqe, një ndërtues është munduar që t’i ngjasojë paksa ndërtimit të vjetër, por kuptohet që ato janë më moderne dhe kanë më shumë kushte të favorshme për jetesë.
Rina Biqkaj

Share: