Kolegji AAB organizoi tryezën akademike me temën “DOPINGU NË SPORTIN KOSOVAR – REALITET APO TABU”, një ngjarje akademike dhe institucionale që bashkoi përfaqësues të institucioneve shtetërore, Komitetit Olimpik të Kosovës, Agjencisë Anti-Doping, federatave sportive, akademisë dhe ekspertëve të fushës.
Diskutimi u orientua drejt një analize të thelluar mbi dimensionet juridike, institucionale, edukative dhe shëndetësore të fenomenit të dopingut, duke theksuar se ky problem nuk kufizohet vetëm në sportin elitar, por prek edhe formimin e sportistëve të rinj, kulturën sportive dhe shëndetin publik në përgjithësi.
Në këtë kontekst u nënvizua rëndësia e harmonizimit të kornizës ligjore me Kodit Botëror Anti-Doping (WADA), forcimit të mekanizmave të kontrollit dhe testimit, si dhe rritjes së rolit të edukimit si instrument parandalues afatgjatë.
U vlerësua veçanërisht roli i programeve edukative dhe i sportit shkollor në ngritjen e vetëdijes
tek gjeneratat e reja, si dhe nevoja për integrimin e edukimit anti-doping në proceset formale
dhe joformale të formimit sportiv.
Në këtë tryezë kontribuan Dr.Sc. Blerim Olluri, Rektor, Prof. Ass. Dr. Fatmir Pireva, Dekan i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit, Z. Feim Hoxha, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit në Agjencinë Anti-Doping pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Prof. Dr. Bernard Tahir Begolli nga Komiteti Olimpik i Kosovës – KosADA, Prof. Dr. Rando Kukeli nga Universiteti i Sporteve në Tiranë dhe Kryetar i Federatës së Bodybildingut dhe Fitnesit të Shqipërisë, Z. Esat Lata, Kryetar i Federatës së Bodybildingut dhe Fitnesit të Kosovës, Prof. Adrian Telaku, Kryetar i Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës si dhe Z. Muharrem Sahiti, Drejtor Sportiv në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Z. Fatlum Berisha, refer ndërkombëtar i futbollit.
Përmes kësaj tryeze akademike, Kolegji AAB riafirmon rolin e vet si institucion lider në promovimin e shkencës sportive, edukimit cilësor, etikës profesionale, integritetit sportiv dhe mbi të gjitha sportit të pastër, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në ngritjen e vetëdijes institucionale dhe shoqërore për rëndësinë e luftës kundër dopingut në sportin kosovar dhe atij rajonal.



