Dizajn Grafik

Qëllimi dhe profili i programit

Programi Master në Dizajn Grafik në Kolegjin AAB është dizajnuar për të ofruar arsimim cilësor në dizajn grafik, duke kombinuar metodat bashkëkohore të mësimdhënies me theks të veçantë në hulumtim. Programi u mundëson studentëve të zhvillojnë dhe të zbatojnë projekte dizajni multidisiplinare, duke i përgatitur ata të kontribuojnë me zgjidhje kreative dhe inovative në tregun e punës.

Ky program inkurajon studentët të angazhohen në mënyrë kritike me teoritë dhe trendet aktuale të dizajnit, duke nxitur një qasje vizionare ndaj dizajnit grafik bashkëkohor. Përmes rishikimit të koncepteve tradicionale të dizajnit, studentët motivohen të eksplorojnë drejtime të reja krijuese dhe të zgjerojnë kufijtë e komunikimit vizual.

Programi synon të zhvillojë aftësitë analitike dhe krijuese të studentëve nëpërmjet kërkimit dhe projekteve praktike, duke kultivuar një kulturë inovacioni dhe origjinaliteti. Gjithashtu, ai mbështet zhvillimin personal dhe profesional të studentëve duke i inkurajuar ata në kërkim të pavarur dhe eksplorim krijues në fushën e komunikimit vizual.

Misioni

Misioni i programit Master në Dizajn Grafik është të: “ofrojë arsim të avancuar me studentin në qendër duke i pajisur të diplomuarit me njohuri, aftësi dhe kompetenca të nevojshme për të shkëlqyer në praktikat bashkëkohore të dizajnit. Programi nxit kreativitetin, mendimin kritik dhe inovacionin e bazuar në kërkim, duke u mundësuar studentëve të zhvillojnë zgjidhje dizajni multidisiplinare që i përgjigjen kërkesave të industrisë dhe trendëve kulturor.”

Bartësit e programit tё studimit

Rezultatet e tё nxёnit

Në fund të programit MA Dizajn Grafik, studentët do të fitojnë njohuritë, aftësitë dhe kompetencat e mëposhtme:

Njohuri:

Shkathtësi:

Kompetenca:

Pranimi nё studime

Sipas nenit 6 të Rregullores, studimet Master kanë të drejtë t’i regjistrojnë të gjithë ata kandidatë të cilët i kanë përfunduar studimet themelore Bachelor dhe që kanë fituar së paku 240 ECTS. Tutje, kushtet për pranim në studimet Master janë:

Në rast se studimet paraprake studenti i ka kryer në ndonjë fushë tjetër, studenti obligohet t’i nënshtrohet provimeve themelore të programit bachelor dizajn grafik të cilat quhen provime diferenciale.

Numri i vendeve për studim

Numri i vendeve për studim sipas vendimit të AKA-së është 60 studentë për vit akademik.

Njohja e kualifikimeve

Në bazë të Rregullores për Studime Master të Kolegjit AAB, njohja e kualifikimeve dhe transferi i studimeve rregullohen nga Nenet 9, 10 dhe 11 të kësaj rregulloreje.

Këto nene përcaktojnë kushtet, kriteret dhe procedurat për pranimin e studentëve nga institucione të tjera të arsimit të lartë, mënyrën e realizimit të transferimit, si dhe procesin e njohjes dhe barazvlerësimit të lëndëve të studiuara më parë.

Kohëzgjatja dhe numri i ECTS-ve

Studimet në Programin MA Dizajn Grafik zgjasin 2 vite, 120 ECTS me gjithsej 4 semestra.

Niveli dhe Grada Akademike

Me rastin e përfundimit të studimeve, studentët fitojnë thirrjen akademike Master i Arteve në Dizajn Grafik.

Perspektivat e punësimit tё studentëve

Studentët që përfundojnë programin Master në Dizajn Grafik në Kolegjin AAB janë të pajisur me njohuri të avancuara, aftësi të specializuara dhe kompetenca të thella profesionale që i përgatisin për tregun e punës. Ata mund të marrin role kreative dhe udhëheqëse në agjenci reklamuese, media, botime, dizajn korporativ, branding, si dhe në projekte multidisiplinare që tejkalojnë kufijtë tradicionalë të dizajnit grafik.

Kombinimi i kreativitetit, mendimit kritik, qasjes multidisiplinare dhe njohurive teknologjike i bën diplomantët të kërkuar dhe konkurrues, duke u mundësuar atyre të kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e fushës së dizajnit grafik, si në nivel lokal, ashtu edhe ndërkombëtar.

Metodat e vlerësimit

Qasja institucionale synon të promovojë një gamë të larmishme metodash vlerësimi që pasqyrojnë natyrën e shumëllojshme të praktikës së dizajnit grafik. Në nivelin Master, rezultatet e të nxënit vlerësohen përmes një kombinimi të mjeteve të vlerësimit sumativ dhe formativ, siç paraqitet më poshtë:

Format e vlerësimit sumativ: projekte dizajni, rishikime portofoliosh, prezantime, raporte kërkimore ose analitike, detyra të komunikimit vizual, punime seminari, detyra, procese reflektuese të dizajnit, etj.

Format e vlerësimit formativ: kritika gjatë orës, punëtori dizajni, sesione me feedback nga studentët, projekte bashkëpunuese, prezantime dhe diskutime.

Tё dhënat pёr kalueshmërinë, braktisjen e studimeve dhe punësimin

BRAKTISJA E STUDIMEVE <15%

PUNËSUESHMËRIA E STUDENTËVE >80%

SUKSESI I STUDENTËVE NË PROVIME 8.5

Tё drejtat e studentëve

Studentët e Kolegjit AAB, bazuar në Statutin dhe Rregulloren e Studimeve MA, gëzojnë të drejtën të marrin pjesë në ligjërata dhe aktivitete akademike, të përdorin shërbimet universitare si biblioteka dhe interneti, të përfaqësohen në organet e studentëve, të organizohen në shoqata jo-politike, të pajisen me dokumente zyrtare studentore dhe, pas përfundimit të studimeve, të marrin diplomën përkatëse. Studentët kanë të drejtë të paraqesin ankesa dhe kërkesa lidhur me çdo aspekt të procesit mësimor, vlerësimit apo çdo çështje tjetër që konsiderojnë se u pengon zhvillimin e tyre akademik dhe mirëqenien gjatë studimeve në kolegj.

Pjesëmarrja e studentëve nё proceset e sigurimit tё cilësisë

Në Kolegjin AAB, studenti është akter i barabartë i cili përfshihet në hartimin, zbatimin dhe vlerësimin e proceseve të sigurimit të cilësisë. Studentët janë pjesëmarrës aktiv në çdo grup punues apo punëtori në të cilën diskutohet politik bërja, planifikimi strategjik dhe vendimmarrja. Në veçanti, studenti merr pjesë në procedurat e sigurimit të cilësisë përmes:

Viti I

Dizajn Strategjik I - 8 ECTS

Dizajni Strategjik ka të bëjë me përdorimin e dizajnit grafik, arteve pamore, të menduarit human dhe kulturor, psikologjisë etj., për të mbështetur arritjen e qëllimeve strategjike të biznesit (p.sh. rritja e të ardhurave, rritja e ndërgjegjësimit etj.). Të kuptuarit e modeleve të planifikimit strategjik dhe zbatimi i tyre në një strategji të përgjithshme, si dhe paraqitja vizuale e saj, janë elemente thelbësore në hartimin strategjik.

Këto aspekte do t’i ndihmojnë studentët të zhvillojnë njohuri të gjithanshme për grupe të ndryshme. Plani dhe strategjia janë menduar për të komunikuar në mënyrë efikase, ndaj është e rëndësishme që mesazhi të përcillet në mënyrë realiste dhe kreative.

Kërkim dhe Strategji në UX - 8 ECTS

Të thellohet në metodologjitë dhe strategjitë e kërkimit UX, duke i fuqizuar studentët për të kryer kërkime efektive, për të analizuar të dhënat dhe për të krijuar strategji të gjithanshme UX që plotësojnë nevojat e përdoruesve dhe objektivat e biznesit.

Kursi mbulon teknikat e avancuara në kërkimin e përdoruesve, analizën e të dhënave dhe planifikimin strategjik, duke e pajisur studentin me aftësi praktike për të ndërtuar përvoja përdorimi të mirëstrukturara dhe të fokusuara te përdoruesi.

Grafika Kompjuterike 1 - 8 ECTS

Në këtë kurs, ju do të mësoni elementet bazë të gjenerimit të imazheve kompjuterike duke përdorur një kompjuter. Kjo do të përfshijë bazat e grafikës 2D dhe 3D, linjën grafike dhe gjenerimin e objekteve 3D në një skenë, duke përfshirë konstruksionet gjeometrike, hijezimin, teksturimin, ndriçimin dhe gjurmimin e rrezeve.

Kursi është teorik dhe i bazuar në projekte, kështu që do të mësoni si të krijoni imazhe përmes kodimit në gjuhën C++. Ky kurs është krijuar për t’ju ofruar njohuri bazë dhe për t’ju përgatitur për studime më të avancuara në animacion, efekte vizuale dhe grafikë kompjuterike në kohë reale.

Etika e Komunikimit - 6 ECTS

Duke pasur parasysh rritjen e proceseve të komunikimit për komunitetin dhe jetën e përditshme, profesionistët duhet të fitojnë njohuri të reja për të vlerësuar nëse politika e tyre e komunikimit është adresuar në mënyrë etike.

Kursi synon të zhvillojë këtë vetëdije përmes analizës së situatave konkrete dhe rasteve reale, duke ndihmuar studentët të reflektojnë mbi përgjegjësinë etike në praktikat e tyre profesionale.

Administrim Biznesi dhe Marketing - 6 ECTS

Ky modul do t’i pajisë studentët me njohuri themelore në fushën e biznesit dhe marketingut. Gjithashtu, do t’i njohë ata me strukturat qeverisëse të biznesit dhe mënyrat për të zhvilluar strategji efektive të marketingut brenda një kompanie.

Lënda synon t’i përgatisë studentët me njohuritë bazë të nevojshme për themelimin dhe zhvillimin e një biznesi, me theks të veçantë në zhvillimin e bizneseve të vogla.

Dizajn Strategjik II - 8 ECTS

Dizajni Strategjik ka të bëjë me përdorimin e dizajnit grafik, arteve pamore, të menduarit human dhe kulturor, psikologjisë etj., për të mbështetur arritjen e qëllimeve strategjike të biznesit (p.sh. rritja e të ardhurave, rritja e ndërgjegjësimit etj.).

Të kuptuarit e modeleve të planifikimit strategjik, zbatimi i tyre në një strategji të përgjithshme dhe paraqitja vizuale e saj janë elemente thelbësore në dizajnin strategjik. Këto do t’i ndihmojnë studentët të zhvillojnë njohuri të gjithanshme për grupe të ndryshme dhe të krijojnë zgjidhje komunikimi efektive.

Plani dhe strategjia janë menduar për të komunikuar në mënyrë efikase, ndaj është e rëndësishme që mesazhi të përcillet në mënyrë realiste dhe kreative.

Dizajn i Orientuar nga Njeriu dhe Psikologji Kognitive - 8 ECTS

Të eksplorohet ndërlidhja mes psikologjisë kognitive dhe dizajnit me fokus te njeriu, duke i pajisur studentët me njohuritë e nevojshme për të aplikuar parimet psikologjike në përmirësimin e përvojës së përdoruesit.

Ky kurs mbulon proceset kognitive, sjelljen e përdoruesit dhe aplikimin e këtyre të dhënave në krijimin e dizajneve intuitive dhe efektive.

Grafika kompjuterike II - 8 ECTS

Ky kurs do të jetë vazhdimësi i kursit “Grafikë kompjuterike 1” dhe do të prezantojë teknologjitë themelore për imazhin dixhital dhe paraqitjen video, përfshirë analizën, përpunimin dhe komprimimin (si MPEG, JPEG etj.), për studentët e avancuar dhe të diplomuarit.

Temat e kursit përfshijnë perceptimin e imazheve dhe videove dixhitale, mostrimin, kuantizimin optimal, transformimin, filtrimin, përpunimin multispektral, restaurimin, analizën, nxjerrjen e veçorive, transformimin morfologjik, si dhe kodimin dhe komprimimin e imazheve/videove me ose pa humbje. Gjithashtu, studentët do të fitojnë përvojë praktike në aplikimin e zgjidhjeve analitike përmes përdorimit të veglës MATLAB.

Video Digjitale - 3 ECTS

Kusht paraprak: Rekomandohet përvoja e mëparshme në grafikë kompjuterike.

Digital Video (Produksioni) është një kurs që fokusohet në krijimin e filmave të shkurtër (dokumentarë dhe artistikë), reklamave dhe videove muzikore. Kursi ofron njohuri dhe mjete themelore për të menaxhuar dhe realizuar një projekt audiovizual nga fillimi deri në fund. Studentët do të analizojnë gramatikën dhe sintaksën audiovizuale, si dhe strukturën e tregimit filmik nga një perspektivë teorike.

Gjatë kursit, studentët do të krijojnë video nga 30 sekonda deri në pesë minuta, duke kaluar nëpër të gjitha fazat e produksionit: nga para-prodhimi, xhirimi, deri te post-prodhimi dhe redaktimi. Kursi kombinon teorinë, historinë dhe praktikën, ndërsa studentët do të mësojnë gjithashtu fjalorin bazë të kinematografisë, përdorimin e kamerave dhe pajisjeve të montazhit.

Studentët do të kenë detyra individuale, por puna në grup do të jetë forma kryesore e organizimit në klasë. Suksesi në këtë kurs kërkon angazhim të plotë dhe bashkëpunim të ngushtë në grupe të vogla.

Menaxhim i Projekteve - 6 ECTS

Qëllimi i përgjithshëm i këtij kursi është krijimi i aftësive — dijes dhe shkathtësive — për të planifikuar, vlerësuar dhe menaxhuar realizimin e projekteve në mënyrë efektive, sipas metodologjive të ndryshme dhe standardeve ndërkombëtare.

Qëllimet specifike përfshijnë: njohjen e studentëve me konceptet themelore dhe të përgjithshme të procesit të planifikimit, shkrimit, menaxhimit, kontrollit dhe vlerësimit të projekteve. Kursi fokusohet në prezantimin e metodologjive, teknikave dhe instrumenteve më efikase në funksion të menaxhimit të projekteve. Ai synon të zhvillojë njohuritë dhe shkathtësitë teorike dhe praktike të studentëve në fushën e gjenerimit, zhvillimit, strukturimit dhe menaxhimit të projekteve.

Përmes trajtimit praktik të koncepteve dhe metodologjive bashkëkohore, studentët do të pajisen me aftësi të përgjithshme mbi rolin dhe funksionin e menaxherit të projektit, ekipit të projektit dhe palëve të interesit.

Viti II

Dizajn editorial I - 8 ECTS

Dizajn Editorial është një lëndë e programit të Dizajnit Grafik në kuadër të Fakultetit të Arteve dhe Arkitekturës – AAB, e cila në mënyrë të integruar u ofron studentëve njohuri fundamentale mbi historinë dhe zhvillimin e kreativitetit editorial ndër shekuj.

Procesi mësimor organizohet në mënyrë teorike (20%) dhe praktike (80%), ku detyrat dhe projektet realizohen përmes përdorimit të mjeteve bashkëkohore dhe të sofistikuara kompjuterike.

Qëllimi i kësaj lënde është të pajisë studentët me dije të thelluara teorike, kreative dhe praktike, në përputhje me standardet moderne të arsimit të lartë. Lënda është e strukturuar si dysemestrale, duke i mundësuar studentëve zhvillimin gradual të aftësive profesionale në fushën e dizajnit editorial.

Reklamë I - 8 ECTS

Kjo lëndë zhvillon dhe mbulon njohuri të thelluara në zgjidhjen e detyrave dhe kërkesave të ndryshme të komunikimit vizual në fushën e reklamës. Qëllimi kryesor është kultivimi dhe zhvillimi i krijimtarisë – si në aspektin teorik ashtu edhe praktik të dizajnit – duke përfshirë edhe dimensionin e kërkimit shkencor, për të ofruar një trajnim akademik të plotë dhe për të ndërtuar shprehje profesionale në diskutime dhe analiza kritike mbi reklamat dhe stilet e tyre, si në kontekstin vendor ashtu edhe atë global.

Kërkimi shkencor i mundëson studentit të kuptojë, formësojë dhe dallojë vlerat estetike në artet e aplikuara. Gjatë kursit, studentët mësojnë metoda të ideimit dhe kërkimit krijues, duke transformuar konceptet në forma të realizuara profesionalisht si: logot, dizajni i komunikimit korporativ dhe materialet promovuese.

Studentët punojnë si me vizatim klasik, ashtu edhe me teknologji të avancuar dhe softuerë bashkëkohorë për dizajn grafik. Në veçanti, realizimi vektorial u jep atyre mundësinë të eksperimentojnë nga ideja deri te krijimi final. Në këtë mënyrë, studentët përgatiten të operojnë si dizajnerë të pavarur dhe profesionistë të reklamës, të gatshëm për të konkurruar në tregun dinamik të punës.

Dizajn Paketimi I - 8 ECTS

Kjo lëndë synon të njoftojë studentët me procesin e plotë të krijimit të një marke (branding), duke filluar nga koncepti themelor deri te zhvillimi i një identiteti të plotë vizual. Studentët do të analizojnë qëllimin e markës: a është ajo krijuar për një produkt, një person, një shërbim, një vend apo një kauzë, si dhe do të mësojnë dallimet thelbësore midis tyre.

Përmbajtja e kursit përfshin përcaktimin e vlerave të markës, emërtimin, zgjedhjen e ngjyrave, formave dhe tipografisë, si dhe përdorimin e elementeve vizuale në mënyrë të koordinuar dhe koherente. Studentët do të zhvillojnë aftësitë për të ndërtuar një identitet të qëndrueshëm dhe profesional të markës.

Në përfundim të semestrit, çdo student do të krijojë një markë të plotë, duke aplikuar njohuritë e fituara dhe duke përdorur teknologjitë më të reja në dizajn grafik dhe identitet vizual.

Fotografi - 6 ECTS

Lënda Fotografia ka për qëllim të aftësojë studentët për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme ndërmjet dizajnit grafik dhe fotografisë, si dy komponentë esencialë të komunikimit vizual bashkëkohor. Ajo ofron njohuri të balancuara teorike dhe praktike, duke u mbështetur në metoda moderne dhe efektive të mësimdhënies.

Qëllimi specifik i këtij kursi është të identifikojë dhe zhvillojë tek studentët prirjet për fotografi kreative, si dhe t’i motivojë ata që t’i aplikojnë këto aftësi në fushën e dizajnit grafik. Studentët do të mësojnë të përdorin fotografinë si një mjet konceptual dhe praktik për ndërtimin e mesazheve vizuale me ndikim.

Gjithashtu, kursi synon të aftësojë studentët për të bërë dallimin ndërmjet aktit të “të shikuarit” dhe procesit të vetëdijshëm të “të parit”, duke e kultivuar fotografinë si një formë të fuqishme të vetë-shprehjes dhe interpretimit vizual. Në këtë mënyrë, fotografia shndërrohet në një mjet kritik dhe kreativ për zhvillimin e identitetit profesional të studentit si dizajner.

Kultura Digjitale - 6 ECTS

Ky kurs shqyrton ndikimin e thellë dhe gjithëpërfshirës të teknologjisë dixhitale në kulturën bashkëkohore. Përmes një qasjeje multidisiplinare, studentët do të eksplorojnë dimensionet sociale, etike, ekonomike dhe krijuese të epokës dixhitale.

Temat e trajtuara përfshijnë evolucionin e teknologjisë dixhitale, transformimin e komunikimit, ndërtimin e identitetit në mjediset virtuale, ndikimin në media dhe art bashkëkohor, si dhe sfidat etike që lindin si rezultat i përparimeve teknologjike.

Qëllimi i kursit është të nxisë mendimin kritik dhe të pajisë studentët me njohuri për të kuptuar ndikimin kompleks dhe dinamik të teknologjisë dixhitale në jetën moderne dhe kulturën globale.

Dizajn Editorial II - 6 ECTS

Ky kurs synon të pajisë studentët me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të krijuar paketime efektive dhe funksionale. Duke u fokusuar në kuptimin e qëllimeve dhe sfidave në paketimin e produkteve, shërbimeve dhe markave, lënda trajton aspektet kryesore të dizajnit si zgjedhja e materialeve, përdorimi i ngjyrave, forma, tipografia dhe praktikat e qëndrueshme në dizajn.

Studentët do të eksplorojnë ndërveprimin mes funksionalitetit dhe pamjes estetike, si dhe rolin që luan dizajni i paketimit në ndërtimin dhe përforcimin e identitetit të një brendi. Përmes analizës së rasteve studimore dhe ushtrimeve praktike, ata do të zhvillojnë qasje strategjike dhe kreative ndaj sfidave të dizajnit të paketimit.

Kursi kulmon me një projekt përfundimtar, ku studentët do të krijojnë një dizajn të plotë të paketimit, duke aplikuar teknologjitë dhe metodologjitë më të fundit të dizajnit grafik dhe të komunikimit vizual.

Reklamë II - 6 ECTS

Lënda zhvillon dhe trajton njohuri për zgjidhjen e detyrave dhe kërkesave të ndryshme të komunikimit vizual – reklamës. Fokusi është në nxitjen e zhvillimit krijues të studentëve si dizajnerë, në mënyrë teorike dhe praktike. Theksi vendoset mbi kërkimin shkencor, me synim ofrimin e trajnimit akademik dhe aftësimit për shprehje profesionale në diskutime dhe analiza kritike rreth reklamave dhe stileve të ndryshme, si në kontekstin lokal ashtu edhe global.

Kërkimi u mundëson studentëve të identifikojnë dhe vlerësojnë elementet estetike në artet e aplikuara. Në këtë lëndë vazhdohet krijimtaria e nisur në semestrin e parë. Pasi studentët kanë ndërtuar identitetin e markës në fazën e parë, ata vazhdojnë në këtë semestër me krijimin e fushatave reklamuese, duke përfshirë zhvillimin e sloganeve, krijimin e maskotave dhe përshtatjen e reklamave për mediume të ndryshme si: gazeta, revista, televizione, rrjete sociale, etj.

Përmes metodave klasike të vizatimit dhe mjeteve të avancuara dixhitale (softuerë grafikë dhe teknika vektoriale), studentët inkurajohen të eksperimentojnë në mënyrë të pavarur dhe krijuese, deri në realizimin përfundimtar të projekteve të tyre. Rezultati i këtij procesi është ndërtimi i një portofoli profesional që përgatit studentët për të konkurruar në mënyrë të suksesshme në tregun e punës si dizajnerë të specializuar në fushën e reklamës.

Dizajn Paketimi II - 6 ECTS

Lënda synon të pajisë studentët me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të krijuar paketime efektive dhe funksionale. Duke u fokusuar në kuptimin e qëllimit dhe sfidave në paketimin e produkteve, shërbimeve dhe markave, kjo lëndë përfshin aspekte si zgjedhja e materialeve, ngjyrat, forma, tipografia dhe praktikat e qëndrueshme të dizajnit.

Studentët do të mësojnë për ndërveprimin ndërmjet funksionalitetit dhe estetikës, si dhe ndikimin e dizajnit të paketimit në perceptimin e brendit nga konsumatorët. Përmes studimit të shembujve praktikë dhe punës kreative, studentët do të zhvillojnë zgjidhje dizajni që i përgjigjen nevojave të tregut dhe preferencave të përdoruesve.

Kursi kulmon me realizimin e një projekti final, ku studentët do të krijojnë një dizajn të plotë dhe profesional të paketimit, duke përdorur teknologjitë dhe metodologjitë më të fundit të dizajnit bashkëkohor. Ky projekt do të shërbejë si pjesë përbërëse e portofolit të tyre personal, duke i përgatitur ata për sfidat në tregun e dizajnit grafik dhe të brendimit.

Teza e Masterit - 12 ECTS

Teza dhe Projekti Final. Programi parashikon zhvillimin e një teze individuale që përbëhet nga një projekt të komunikimit, i cili do të diskutohet në frontin e një komisioni. Në mënyrë që të pranohet në provimin, studenti duhet të ketë fituar kreditët e nevojshme. Provimi përbëhet nga një prezantimi i portfolios, duke treguar projektet e zhvilluara nga studentët gjatë karrierës së tyre, dhe nga një diskutim individual të tezës, të zhvilluar nën mbikëqyrjen e një profesorit-mentorit te fakultetit.