Me temën “Të drejtat tona, e ardhmja jonë, ditët e sotme” në Kolegjin AAB është mbajtur tryezë diskutimi me studentët dhe stafin e Fakultetit Juridik, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Kjo tryezë u fokusua në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut nga një këndvështrim i bazuar në besim, andaj të ftuar ishin: Përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Kosovës Vedat Sahiti, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Milos Peric dhe përfaqësuesi i Kishës Protestante Ungjëllore Driton Krasniqi.
Prorektorja e Kolegjit AAB Venera Llunji dhe dekani i Fakultetit Juridik Mentor Lecaj, iu uruan mirëseardhje të ftuarve derisa vlerësuan peshën e këtij organizimi dhe mesazhin që përçon. Ata theksuan se në Kosovë çdoherë ka mbretëruar tolerancë ndërfetare dhe jetesa është zhvilluar në harmoni të plotë.
Edhe përfaqësuesit e tri institucioneve fetare njëzëri u pajtuan se respektimi i të drejtave të njeriut është kusht kryesor për shoqëri përparimtare dhe paqësore. Gjithashtu theksuan se gëzojnë bashkëpunim ndër vite, duke promovuar tolerancën dhe respektin që posedojnë për secilin religjion.
Studentët patën pyetje të shumta për të ftuarit, ndërsa shprehën interesimin për veprimet që duhen ndërmarrë që kjo frymë e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të trashëgohet ndër breza.