Projekti “Promoting Cooperation through Language Learning and Volunteerism: English from Me to You”filloi zyrtarisht dhe këtë vit duke sjell energji dhe përkushtim të ri nga studentët tanë. Kjo nismë vullnetare dhe profesionale, që është bërë tashmë një traditë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Kolegjit AAB, përfshin 15 studentë të përkushtuar nga programi BA në Gjuhën Angleze.
Me rëndësi të veçantë është fakti se këtë vit projekti mbështetet nga një grant studentor, duke reflektuar jo vetëm angazhimin, por edhe mbështetjen institucionale për zhvillimin e të rinjve dhe komunitetit.
Nën mentorimin e profesorit Niman Dreshaj, studentët do të angazhohen në mësimdhënie javore për 92 nxënës të fshatit SOS, duke sjellë njohuritë dhe kreativitetin e tyre në ndihmë të fëmijëve që kanë nevojë për mbështetje. Për të përgatitur studentët për këtë detyrë të rëndësishme, është organizuar një trajnim në lidhje me metodologjinë e mësimdhënies, i cili do të pasohet nga monitorimi i vazhdueshëm i kurseve.
Projekte të tilla jo vetëm që pasurojnë përvojën profesionale të studentëve, por gjithashtu promovojnë ndërgjegjësimin për rëndësinë e kontributit në komunitet.