Për t’u njohur nga afër me funksionin dhe aktivitetet e Drejtorisë së Përkthimeve në Këshillin Gjyqësor, studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja kanë realizuar një vizitë informative në këtë zyrë. Ata u mirëpritën nga shefja e Drejtorisë së Përkthimeve Valentina Sopjani dhe përkthyes të tjerë, ndërsa ndanë me studentët eksperiencat dhe sfidat e punës së përkthyesve në sektorin gjyqësor.
Përkthyesit treguan ngjarje të ndryshme duke u fokusuar në rëndësinë e korrektësisë dhe saktësisë në përkthimin gjyqësor, si dhe duke përfshirë ndjeshmërinë e terminologjisë ligjore dhe nevojën për përgatitje të vazhdueshme profesionale.
Ky aktivitet u realizua si pjesë e një përpjekje të vazhdueshme për të lidhur studentët me praktikën dhe për t’iu ofruar atyre mundësi për t’u përgatitur për tregun e punës në shërbimet gjuhësore.