Kulturë Fizike dhe Sport
Qëllimi dhe Profili i Programit
Programi BA në Kulturë Fizike dhe Sport synon t’i pajisë studentët me një bazë të fortë teorike dhe praktike në fushën e kulturës fizike dhe sportit, duke zhvilluar aftësitë për punë të pavarur dhe zhvillim profesional të vazhdueshëm.
Njëkohësisht, programi nxit angazhimin e studentëve në mendim kritik dhe zgjidhje problemesh të bazuara në kërkime shkencore, përmes përfshirjes në projekte, debate dhe konferenca, si dhe i inkurajon ata të kontribuojnë me ide inovative në mirëqenien e komunitetit, promovimin e shëndetit fizik dhe mendor, duke kultivuar edhe kompetenca etike dhe aftësi teknologjike për komunikim dhe bashkëpunim efektiv.
Objektivat e programit BA në Kulturë Fizike dhe Sport janë si më poshtë:
- Të pajisë studentët me një bazë të fortë në parimet dhe praktikat e kulturës fizike dhe sportit, duke ndërtuar aftësi për punë të pavarur dhe zhvillim të vazhdueshëm.
- Të aftësojë studentët të angazhohen në diskutime kritike dhe zgjidhje të problemeve të bazuara në fakte shkencore dhe kërkime, duke i përfshirë në projekte kërkimore dhe duke i inkurajuar të marrin pjesë në tryeza diskutimi, debate dhe konferenca.
- Të mundësojë angazhimin e studentëve në iniciativa, projekte dhe zhvillimin e ideve inovative që kontribuojnë në mirëqenien e grupeve të ndryshme të komunitetit, duke theksuar rolin e aktivitetit fizik në ruajtjen e shëndetit fizik dhe mendor.
- Të kultivojë kompetenca etike dhe aftësi teknologjike që përmirësojnë komunikimin dhe bashkëpunimin efektiv me të gjithë aktorët e përfshirë.
Misioni
Misioni i programit BA Kulturë Fizike dhe Sport është të ofrojë arsim cilësor me studentin në qendër, duke përgatitur profesionistët e ardhshëm që do të udhëheqin proceset transformuese në edukimin fizik, zhvillimin e sportit profesional dhe përmirësimin e shëndetit publik. Përmes fakteve shkencore, kërkimeve të aplikuara, projekteve inovative dhe zgjidhjeve kreative, programi i pajis studentët me njohuritë, aftësitë dhe kompetencat e nevojshme për të promovuar mirëqenien fizike dhe për të sjellë ndryshime pozitive brenda komuniteteve të ndryshme.
Bartësit e programit tё studimit
- Dr. Sc. Fatmir Pireva
- Dr. Sc. Shemsedin Vehapi
- Dr. Sc. Zenel Metaj
- Dr. Sc. Shkelzen Shala
- Dr. Sc. Nazim Myrtaj
Rezultatet e tё nxënit
Pas përfundimit me sukses të programit BA në Kulturë Fizike dhe Sporte, studentët do të jenë nё gjendje tё demonstrojnë këto njohuri, shkathtësi dhe kompetenca:
Njohuri:
- definojnë konceptet bazë të profesionit, parimet dhe ligjshmëritë që lidhen me zhvillimin bio-psiko-social të fëmijëve të grup moshave të ndryshme;
- dizajnojnë programe ushtrimesh të përshtatura për të përmirësuar parametrat e shëndetit dhe fitnesit, bazuar në një kuptim kompleks të proceseve teorike (teoria e stërvitjes, anatomike, fiziologjike, biomekanike, psikologjike, sociologjike);
- zbatojnë procedura diagnositike te matjes dhe vlerësimit të gjendjes së karakteristikave psikosomatike ne shërbim te hartimit te programeve te proceseve transformative;
- analizojnë përdorimin e mjeteve, teknologjinë dhe burimet e informacionit që nevojiten në procesin e mësimdhënies dhe trajnimit;
- menaxhojnë detyra organizative dhe drejtuese në organizata të ndryshme sportive duke vlerësuar etikën profesionale, qëndrimet e shëndosha, vlerat dhe sjelljet e sigurta;
- në mënyrë të pavarur analizojnë në mënyrë kritike literaturën shkencore, përdorin metoda adekuate kërkimore për të adresuar zgjidhjen e problemeve reale që lidhen me profesionin;
Shkathtësi:
- komunikojnë në mënyrë efektive dhe demonstrojnë aftësi për të dëgjuar me kujdes, për të lexuar dhe shkruar në mënyrë analitike dhe për të paraqitur informacionin përkatës në mënyrë të qartë dhe koncize para kategorive të ndryshme të audiencës;
- përdorurin aftësitë e të menduarit kritik për të analizuar problemet dhe për të ofruar zgjidhje për çështjet që lidhen me profesionin;
- demonstrojnë aftësi të suksesshme të menaxhimit të projekteve, organizim dhe promovim tё iniciativave në shërbim të promovimit të shëndetin përmes aktivitetit fizik, ushqimit dhe sportit;
Kompetenca:
- punojnë në mënyrë të pavarur si dhe pjesë e një ekipi në një sërë kontekstesh të ndryshme që kanë të bëjnë me programe edukimi dhe trajnimi për kategori dhe grupomosha të ndryshme duke demonstruar nivel të lartë të përgjegjësisë për vete dhe të tjerët;
- bëhen pjesë e iniciativave dhe grupeve ndërdisiplinore me qëllim të hartimit dhe udhëheqjes së projekteve të cilat kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe promovimin e shëndetit në komunitete të ndryshme;
- përdorin teknologjinë moderne në kulturën fizike dhe sportin për të përdorur një shumëllojshmëri burimesh të rëndësishme informacioni si dhe për të përcjellë dhe vlerësuar performancen dhe progresin e kandidatëve të përfshirë në trajnim.
Pranimi nё studime
Studimet Bachelor kanë të drejtë t’i regjistrojnë të gjithë ata kandidatë të cilët i kanë përfunduar shkollimin e mesëm, posedojnë dokumentacionin e nevojshëm si dhe përmbushin kriteret minimale të pranimit të përcaktuara nga Senati. Sipas nenit 5 të Rregullores për Studime Bachelor, kushtet për pranim në studimet Bachelor janë:
- përfundimi me sukses i shkollës fillore dhe të mesme me së paku 12
- vite të shkollimit i vërtetuar me diplomë përkatëse;
- përfundimi me sukses i Testit të Maturës Kombëtare sipas kritereve të
- përcaktuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i cili
- vërtetohet me dëshmi përkatëse;
- kompletimi me sukses i procedurës përzgjedhëse;
- kompletimi i dosjes me dokumentacionin formal ashtu siç përcaktohet nga MASHT.
Numri i vendeve për studim
Numri i vendeve për studim sipas vendimit të AKA-së është 100 student për vit akademik.
Njohja e kualifikimeve
Në bazë të Rregullores për Studime Bachelor të Kolegjit AAB, njohja e kualifikimeve dhe transferi i studimeve rregullohen nga Nenet 6, 7 dhe 8 të kësaj rregulloreje.
Këto nene përcaktojnë kushtet, kriteret dhe procedurat për pranimin e studentëve nga institucione të tjera të arsimit të lartë, mënyrën e realizimit të transferimit, si dhe procesin e njohjes dhe barazvlerësimit të lëndëve të studiuara më parë.
Kohëzgjatja dhe numri i ECTS-ve
Studimet në Programin BA Kulturë Fizike dhe Sport zgjasin 4 vite, 240 ECTS me gjithsej 8 semestra.
Niveli dhe Grada Akademike
Me rastin e përfundimit të studimeve, studenti fiton thirrjen akademike Bachelor i Arteve në Kulturë Fizike dhe Sport.
Perspektivat e punësimit tё studentëve
Programi i studimit BA në Kulturë Fizike dhe Sport është i dizajnuar për të ofruar aftësi të gjera për një gamë të gjerë mundësish punësimi, duke përfshirë:
- Ekspertizë në udhëheqjen e ekipeve si trajnerë.
- Instruktorë të fitnesit
- Hartimi dhe udhëheqja e programeve të fitnesit për grupe të ndryshme moshe dhe nivele të ndryshme të kondicionit fizik.
- Trajnerë të stërvitjeve fizike.
- Zyrtarë për zhvillimin e sportit.
- Trajnerë për trajnerët sportivë.
- Udhëheqës të aktiviteteve rekreative.
- Mësimdhënie në institucione edukative dhe shkolla sportive.
- Analistë të performancës sportive.
- Ekspertë për promovimin e shëndetit përmes aktivitetit fizik dhe ushqyerjes së shëndetshme.
Metodat e vlerësimit
Vlerësimi i arritjeve të studentëve realizohet në përputhje me rezultatet e të nxënit dhe kërkesat akademike e profesionale të programit, ndërsa format e vlerësimit përcaktohen në syllabus të secilës lëndë. Procesi i vlerësimit përfshin kombinim të provimeve me shkrim, testeve dhe kuizeve, eseve dhe punimeve, pjesëmarrjes aktive në klasë, punës në grup, raporteve individuale të shkruara, analizave të rasteve, prezantimeve me gojë ose me mjete audiovizuale, raporteve reflektuese nga observimi, si dhe praktikës profesionale, simulimeve ose konsulencës, ku studentët demonstrojnë aftësinë për kërkim, analizë, përdorim të metodologjisë shkencore, integritet akademik dhe aplikim praktik të njohurive.
Tё dhënat pёr kalueshmërinë, braktisjen e studimeve dhe punësimin
BRAKTISJA E STUDIMEVE <14% PUNËSUESHMËRIA E STUDENTËVE >90% SUKSESI I STUDENTËVE NË PROVIME 8.5
Tё drejtat e studentëve
Studentët e Kolegjit AAB, bazuar në Statutin dhe Rregulloren e Studimeve BA, gëzojnë të drejtën të marrin pjesë në ligjërata dhe aktivitete akademike, të përdorin shërbimet universitare si biblioteka dhe interneti, të përfaqësohen në organet e studentëve, të organizohen në shoqata jo-politike, të pajisen me dokumente zyrtare studentore dhe, pas përfundimit të studimeve, të marrin diplomën përkatëse. Studentët kanë të drejtë të paraqesin ankesa dhe kërkesa lidhur me çdo aspekt të procesit mësimor, vlerësimit apo çdo çështje tjetër që konsiderojnë se u pengon zhvillimin e tyre akademik dhe mirëqenien gjatë studimeve në kolegj.
Pjesëmarrja e studentëve nё proceset e sigurimit tё cilësisë
Në Kolegjin AAB, studenti është akter i barabartë i cili përfshihet në hartimin, zbatimin dhe vlerësimin e proceseve të sigurimit të cilësisë. Studentët janë pjesëmarrës aktiv në çdo grup punues apo punëtori në të cilën diskutohet politik bërja, planifikimi strategjik dhe vendimmarrja. Në veçanti, studenti merr pjesë në procedurat e sigurimit të cilësisë përmes:
- vlerësimit të stafit akademik dhe përmbajtjeve mësimore;
- vlerësimit të shërbimeve administrative dhe infrastrukturës;
- anëtarësisë së plotë në trupat akademike dhe vendimmarrëse të institucionit;
- pjesëmarrjes në komisione dhe grupe punuese;
- përfshirjes në procesin e hartimit, plotësimit dhe rishikimit të programeve të studimit;
- dhënies së inputeve të vazhdueshme për çdo fushë e cila i përket studentit dhe kolegjit;
- dhënies së rekomandimeve për përmirësim për secilën procedurë, politikë, proces apo vendim i cili lidhet me kolegjin.