Studentët e Kolegjit AAB shkëlqejnë në Kampionatin Ballkanik të Xhudos

17 Shtator 2025

Studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit të Kolegjit AAB vazhdojnë të dëshmojnë sukseset e tyre në arenën ndërkombëtare. Në Kampionatin Ballkanik të Xhudos, të organizuar nga Federata Evropiane e Xhudos dhe Federata e Xhudos së Kosovës në Pejë, ata arritën rezultate të jashtëzakonshme.

Në kuadër të aktiviteteve që shënojnë 25-vjetorin e Kolegjit AAB, këto arritje sportive theksojnë përkushtimin e institucionit për ekselencë akademike, inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar, si dhe rolin udhëheqës të tij në zhvillimin e sportit në Kosovë dhe më gjerë.

Dardan Cena, student i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit, u shpall Kampion Ballkani në kategorinë -73 kg për seniorë, duke dëshmuar profesionalizëm, përkushtim dhe një nivel të lartë përgatitjeje akademike e sportive.

Ndërkaq, Anes Veseli, po ashtu student i këtij fakulteti, u shpall Nënkampion Ballkani në kategorinë -90 kg për seniorë, duke plotësuar kështu suksesin e jashtëzakonshëm të studentëve të Kolegjit AAB në këtë ngjarje madhore sportive.

Për të tretin vit me radhë, Kosova ishte nikoqire e këtij kampionati prestigjioz ndërkombëtar, duke mirëpritur rreth 10 shtete pjesëmarrëse, përfshirë Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Greqinë, Moldavinë, Rumaninë dhe Turqinë.

Këto rezultate e rikonfirmojnë pozitën e Kolegjit AAB si institucioni më i madh dhe më i avancuar i arsimit të lartë privat në Kosovë, duke forcuar prestigjin e tij ndërkombëtar dhe duke dëshmuar se Fakulteti i Kulturës Fizike dhe Sportit është një qendër lidere për përgatitjen e sportistëve të rinj, të aftë të përfaqësojnë me dinjitet dhe sukses si Kosovën, ashtu edhe AAB-në në skenën globale.

Share: