Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Kancerit, Fakulteti i Shkencave Shëndetësore ka organizuar një ligjëratë informuese me qëllim rritjen e vetëdijes për kujdesin ndaj kancerit, si dhe rolin e profesionistëve shëndetësorë në Kosovë.
Ligjërata u mbajt nga Ass.Dr. Ilir Kurtishi, specialist i Onkologjisë, i cili foli për situatën aktuale të kujdesit onkologjik në Kosovë, duke theksuar sfidat kryesore me të cilat përballet sistemi shëndetësor, si diagnostikimi i vonshëm, mungesa e burimeve të specializuara dhe nevoja për qasje më të avancuar terapeutike.
Një pjesë e ligjëratës iu kushtua rolit të profesionistëve shëndetësorë, duke theksuar nevojën për bashkëpunim dhe përfshirje aktive në edukimin shëndetësor të komunitetit.
Ligjërata u shoqërua me diskutime interaktive, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të ndajnë mendimet e tyre në lidhje me sfidat dhe perspektivat e kujdesit ndaj kancerit në Kosovë.


