Lorik Cana
Anëtar i Këshillit Drejtues
Ka lindur më 27 korrik 1983, në Prishtinë. Karrierën e tij sportive e ka filluar që nga mosha 7 vjeçare në klubin zvicerran FC “Laussane Sport”, ndërsa atë profesionale e ka filluar në Ligue 1 të Francës në vitin 2000, në klubin (PSG) Paris Saint Germain, më pastaj në Klubin (OM) “Olimpique de Marseille”, ku ishte edhe kapiten i ekipit.
Nga viti 2009-2010, vazhdoi karrierën në Angli, në ekipin e Premier Ligue “Sunderland”, ku ishte edhe kapiten i ekipit, pastaj 2010-2011, në Turqi në ekipin nga Stambolli “Galatasaray”, në vitet 2011-2014, për ekipin italian të Serie A “Lazio” Romë, dhe së fundi në ekipin francez FC “Nantes”.
Përveç ekipeve të përmendura Lorik Cana nga viti 2003 deri më 2016, ishte pjesë e Kombëtares së Shqipërisë si dhe kapiten i saj, ku edhe mban rekord nacional prej 93 ndeshjesh të luajtura për ekipin kombëtar të Shqipërisë.
Dekretet dhe nominimet:
Lorik Cana është dekretuar dhe nominuar në shumë pozita si:
- Ambasador i Sportit Shqipar, i nominuar në shtator 2018;
- Ambasador i “Grassroots” për programin e UEFA-s, tetor 2017;
- Ambassador Nderi i Kosovës, i dekretuar nga ish Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga, 2015;
- Ambasador i Kombeve të Bashkuara – UNDP, për Objektivat e Mijëvjeçarit për Kosovë, dhjetor 2006;
- Ambasador i Kombit, i dekretuar nga ish Presidenti i Shqipërisë z. Bamir Topi, nëntor 2008;
- Ambasador i UNICEF-it për të Drejtat e fëmijëve në Shqipëri, tetor 2010;
- Ambasador special i sportit të Kosovës në botë, i emëruar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, 2011;
Loriku Cana nga viti 2016, mban edhe statusin e Diplomatit të Republikës së Shqipërisë.
Aktivitetet e bëmirësisë:
Përveç kontributit që ka dhënë në fushën e sportit dhe kulturës, Loriku ka treguar personalitetin e tij edhe në fushën e bëmirësisë.
- Disa herë ka dhënë donacione për Fshatin e fëmijëve “SOS Kinderdorf” në Prishtinë;
- Duke qenë i pasionuar pas trashëgimisë kulturore shqiptare në vitin 2009, së bashku me kolegun e tij Igli Tare paguan një shumë prej 20.000 eurosh një koleksionari në Itali, për të rikthyer kokën e statujës të Zeusit e cila ishte vjedhur në vitin 1991, nga muzeu arkeologjik i Butrintit në Shqipëri. Statuja e Zeusit është një nga vlerat më të rralla dhe të çmueshme të arkeologjisë shqiptare dhe botërore e cila është e mbrojtur nga UNESCO.
- Duhet kujtuar se Loriku përveq se një kapiten i sukseshëm në fushën e futbollit, ka treguar prirje edhe në moderim, ai ka moderuar një spektakël të veçantë për shqiptarët. Ishte koncerti në Vatikan me rastin e shugurimit të Nënë Terezës, ku Loriku dhe Rita Ora moderuan me sukses ketë spektakël që ishte përcjelluar nga më tepër se 500 televizione botërore dhe miliona spektatorë.
- Loriku është themelues dhe Kryetar i Bordit të Fondacionit “LorikCana5-Foundation” në Shqipëri dhe degën në Kosovë. Qëllimi i Fondacionit është që të mbështesë dhe promovojë sportin, kulturën dhe trashëgiminë, përfshirë por pa u kufizuar në kulturën e ushtrimit të fëmijëve të moshës parashkollore dhe shkollore, zhvillimin e aftësive të tyre në fushën e sportit dhe të kulturës, përfshirjen e tyre aktive në sport dhe kulturë si dhe ngritjen dhe mbështetjen e një brezi të ri të orientuar drejt kulturës dhe sportit.